E Diel, 1 Nëntor 2026

Spindler: Ekonomia shqiptare e shëndetshme përballë krizës

TIRANË - Drejtori Ekzekutiv i Korpusit të Vullnetarëve për Shërbime Financiare (FSVC), Andreë J.Spindler, deklaroi sot në Tiranë, se ekonomia shqiptare ka performuar pozitivisht dhe ka rezultuar e shëndetshme përballë krizës ekonomike në eurozonë.

I pranishëm në një takim të zhvilluar sot në Tiranë, për prezantimin e programit të ri katër vjeçar në mbështetje të sistemit financiar në Shqipëri, Spindler tha se, me mbështetjen e USAID, FSVC do të ndihmojë për forcimin e sistemit financiar shqiptar nëpërmjet mbikëqyrjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të stafit të bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare.

Ndërsa, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, theksoi se sektori financiar dhe ai bankar në vendin tonë nuk është prekur nga kriza. "Besimi i publikut ndaj bankave shënon terma pozitivë", theksoi Fullani, ndërsa vlerësoi asistencën e programit.

FSVC, është përzgjedhur nga USAID për të zbatuar një program të ri katër vjeçar, me vlerë prej 3.4 milion dollarë për të vazhduar iniciativën për forcimin e sektorit financiar shqiptar. Programi do të ofrojë asistencë teknike për Bankën e Shqipërisë (BSH) dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për të forcuar kapacitetet e tyre për të menaxhuar rrezikun në sektorin financiar.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›