Spiropali: Apelojmë për heqjen e masave kufizuese ndaj Kosovës, janë të tepruara

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Elisa Spiropali, priti sot në Tiranë Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul.
Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, Spiropali deklaroi se Shqipëria mbetet një faktor kyç stabiliteti dhe një partner i rëndësishëm për një rajon të integruar dhe të sigurt. Ajo theksoi se vendi është i angazhuar në mbështetjen e Kosovës në proceset e reformave dhe në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare e rajonale.
“Shqipëria mbetet një faktor stabiliteti dhe partner për një rajon më të integruar dhe më të sigurt. Për Shqipërinë, bashkëpunimi me Kosovën në veçanti, është në krye të listës së prioriteteve. Jemi plotësisht të angazhuar për ta ndihmuar Kosovën në procesin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizmat ndërkombëtare e rajonale.
Ne kemi mbështetur dhe kemi inkurajuar angazhimin serioz të Kosovës në procesin e Dialogut me Serbinë të facilituar nga BE dhe të mbështetur nga partnerët tanë si ShBA, Gjermania e vendet e tjera mike. Ne vlerësojmë se çdo proces dialogu duhet të konkludojë me respekt të marrëveshjeve e njohje reciproke”, tha Spiropali.
Spiropali apeloi edhe për heqjen e masave kufizuese ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato “të tejkaluara, të tepruara dhe penguese për procesin e saj të integrimit europian”.
“Mbështesim fuqimisht rrugëtimin e Kosovës për integrimin në strukturat euro-atlantike, një domosdoshmëri për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. I konsiderojmë masat kufizuese, nën të cilat gjendet Kosova, të tejkaluara, të tepruara dhe penguese për procesin e integrimit të saj në BE dhe apelojmë për heqjen e menjëhershme të tyre”, u shpreh Spiropali.
Spiropali nënvizoi rëndësinë e vizitës së homologut gjerman si një sinjal i vëmendjes së shtuar të Berlinit për rajonin dhe integrimin e tij të plotë në BE.
“Turi rajonal i homologut gjerman rrit rëndësinë e vëmendjes së shtuar ndaj rajonit dhe integrimit të tij. Gjermania është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomik të Shqipërisë si në shkëmbimet tregtare dhe investimet. Jemi të përkushtuar të përmirësojmë klimën e biznesit dhe të ulim barrierat administrative për investitorët gjermanë. Kemi ende shumë potencial për të rritur bashkëpunimin ekonomik, njerëzor dhe tregtar mes dy vendeve,” përfundoi ministrja.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul po zhvillon një tur diplomatik në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal i Zi, Shqipëri, Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
/a.f/