E Hënë, 2 Nëntor 2026

Spiropali: Integrimi europian shërben si motor reformash për vendin

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot në Tiranë një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Johann Wadephul.

E pyetur nëse Shqipëria, për të përshpejtuar rrugën drejt BE-së, do të ishte e gatshme të hiqte dorë nga e drejta e vetos apo nga posti i Komisionerit, Spiropali tha se vendi është plotësisht i përkushtuar, por procesi mbetet meritokratik.

“Shqipëria është e gatshme të anëtarësohet, por pa diskutim duke pasur parasysh që procesi i integrimit është një proces që kalon përmes transformimit të thellë të vendit, reformave, plotësimit të kritereve dhe standardeve”, theksoi ajo.

Ministrja shtoi se integrimi europian shërben si motor reformash për vendin.

“Pavarësisht situatës gjeopolitike, procesi i integrimit na shërben për transformimin e shoqërisë, ekonomisë dhe institucioneve tona.”

Spiropali bëri të ditur se Shqipëria ka hapur të gjithë grup-kapitujt me BE-në dhe po pret raportin e piketave të ndërmjetme, të cilin e cilësoi “shtyllën kurrizore” të procesit.

“Presim raportin e piketave të ndërmjetme, ku përfshihet pavarësia e gjyqësorit, sundimi i ligjit, administrata meritokratike dhe çështje me rëndësi themelore për vendin”, tha ajo.

Ministrja përsëriti objektivin për përfundimin e negociatave teknike brenda dy viteve.

“Shpresojmë që brenda vitit 2027 të kemi mbyllur të gjithë procesin teknik të negociatave.”

Sa i përket përdorimit të vetos, Spiropali deklaroi se Shqipëria është e përkushtuar ndaj vlerave europiane.

“Ne mbajmë qëndrimin se çështjet bilaterale nuk duhet të jenë pengesë për procesin e zgjerimit. Shqipëria është që sot e gatshme të mbajë qëndrimin që nuk do ta përdorë votën apo veton e saj në asnjë rast për të penguar vendimmarrjen e BE-së.”

Ajo shtoi se debati mbi të drejtën e vetos dhe postet në institucionet europiane do të vijë vetëm në faza të mëvonshme.

“Këto çështje mund të diskutohen në një fazë tjetër të procesit të integrimit. Tani jemi të fokusuar tek mbyllja e kapitujve”, tha ajo.

Në mbyllje, ministrja shprehu ambicien që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së brenda kësaj dekade.

“Synojmë që brenda kësaj dekade Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian”, u shpreh Spiropali.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›