E Hënë, 2 Nëntor 2026

UKRAINË – Ish-presidenti Poroshenko kërkon krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar

KIEV, 17 nëntor /ATSH-DPA/  – Ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, kërkoi sot dorëheqjen e gjithë kabinetit qeveritar për shkak të skandalit të korrupsionit, që po trondit vendin në një kohë kur ai po përballet me pushtimin rus, dhe krijimin e një qeverie të re patriotike të unitetit kombëtar.

“I gjithë kabineti i korruptuar dhe të gjithë anëtarët e tij duhet të japin dorëheqjen”, tha Poroshanko në një video-deklaratë.

Ai e quajti dorëheqjen e dy ministrave një farsë, duke theksuar se emrat e pesë përfaqësuesve qeveritarë shfaqen në biseda të regjistruara të lidhura me skandalin.

Poroshenko, miliarder dhe president i vendit nga viti 2014 deri në 2019, bëri thirrje për krijimin e një qeverie të re patriotike të unitetit kombëtar, të përbërë nga ekspertë dhe që do të bashkonte të gjitha forcat politike të vendit.

“Duhet rikthyer besimi i shoqërisë ukrainase në qeveri dhe të parandalohet destabilizimi politik”, tha ai.

Partia e Poroshenkos, ”European Solidarity” dhe fraksion pro perëndimor i partisë ”Holos” kanë së bashku vetëm 45 vende në parlamentin prej 450 anëtarësh.

Një mocion mosbesimi kërkon të paktën 226 vota.

Në javët e fundit, autoritetet ukrainase kanë publikuar regjistrime bisedash të lidhura me korrupsionin në ”Energoatom”, kompania shtetërore e energjisë bërthamore.

Humbjet deri tani vlerësohen rreth 100 milionë dollarë.

Ministri i Drejtësisë German Galushchenko dhe ministrja e Energjisë Svitlana Hrynchuk kanë paraqitur dorëheqjet e tyre.

Timur Mindich, një bashkëpunëtor i afërt i presidentit Volodymyr Zelensky, dhe të tjerë të përfshirë në skandal, kanë ikur jashtë vendit.

Autoritetet kundër korrupsionit kanë paralajmëruar publikimin e informacioneve të tjera që do të prekin kryesisht sektorin e armatimeve./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›