E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiropali sherr me Erion Veliajn, braktis mbledhjen

Kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali, ka braktisur mbledhjen, duke akuzuar sekretarin për Rininë, Erion Veliaj, se ka manipuluar listat. Pavarësisht se në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, sherret nuk janë shuar. Mbledhja ka nisur në orën 18:00 të pasdites së shkuar, ku Spiropali ka vërejtur se në sallë kishte persona që nuk ishin zgjedhur, duke kërkuar verifikimin e listave.

Ajo ka deklaruar për mediat se lista është përgatitur nga Erion Veliaj dhe më pas ka braktisur mbledhjen. Ajo thotë se nga lista ishin hequr emrat e kryetarëve dhe nënkryetarëve të rretheve dhe në vend të tyre ishin vendosur emra të tjerë. Pas ikjes së Spiropalit dhe mbështetësve të saj nga Asambleja, mbledhja ka vazhduar me dyer të mbyllura, ku janë zgjedhur kryetari i Asamblesë dhe nënkryetarët. Rama nuk e ka përmendur konfliktin në sallë, por më pas ka zhvilluar një takim me Spiropalin.

“Jemi një forcë e cila është qartësisht e përcaktuar në një ndryshim radikal të bazuar në një program të ri, “Për një rilindje shqiptare”. Një forcë që ka një mision të qartë punësimin për t’i dhënë fund inercisë së rritjes së vazhdueshme të papunësisë, një forcë që ka synim vendosjen e taksimit të ndershëm dhe zhbërjen e sistemit të mbrapshtë të taksës së sheshtë, një forcë e cila është qartësisht e vendosur t’i japë sipërmarrjes mbështetjen e duhur dhe një konkurrencë të lirë dhe për të shkatërruar monopolet”, tha Rama në mbledhje. /Start/

                                                                                             2012-06-22 08:53
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›