Spitalet, Beqja: Qeveria dështoi, është e paaftë
Tiranë- Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja ka deklaruar sot se qeveria ka dështuar, pasi edhe pas 40 muajsh qeverisje, nuk ka mundur të përcaktojë protokollet standarde të mjekimit në Republikën e Shqipërisë.
Gjatë një deklarate nga selia e PS-së, ai ka theksuar se qeveria nuk është e aftë të kostojë shërbimet që ofrohen nga qendrat shëndetësore, ambulatore apo spitalore dhe nuk është e zonja të përcaktojë një status të ri ekonomik për spitalet e vendit
“Me ardhjen në pushtet, kryeministri i vendit, mjek në profesion, u premtoi shqiptarëve shërbim shëndetësor të garantuar, cilësor dhe të ndershëm. Por, pas 40 muajsh qeverisje, të gjithë shohin, nën dritën e diellit, se në spitalet tona mungon çdo lloj mjeti i domosdoshëm për të realizuar operacionet me të thjeshta”- ka thënë Beqja, duke e cilësuar këtë qeveri, si më të paaftën në 17 vitet e fundit.
Ai ka kujtuar situatën skandaloze në spitale, ku ilaçet mungojnë dhe po ashtu ka ilaçe që po skadojnë në magazina.
“Shqiptarët, sot, e kanë të qartë se ka vetëm një përgjegjës për këtë situatë. Ai është kryeministri i vendit, mjek në profesion. Kryeministri vendit është i zhytur në korrupsion.Kjo është arsyeja pse në 9 muajt e vitit 2008 janë realizuar vetëm 22 % e investimeve të parashikuara në shëndetësi për gjithë vitin”- tha Beqja.