E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret, dëmshpërblehet, më pas dënohet me 20 vjet burg

ARRESTIMI/ Policia vuri në pranga mëngjesin e djeshëm 37-vjeçarin Ilir Qose i dënur për një vrasje të kryer në vitin 2000

DEVOLL- Vrau dikë dhe më pas mori pafajësinë, madje edhe një dëmshpërblim prej 20 milionë lekësh për kohën që e kishin mbajtur “padrejtësisht” në burg. Por, tetë vjet më pas vihet në pranga, këtë radhë i dënuar me 20 vjet heqje lirie nga gjykata. Ilir Qose, 37 vjeç, përfundoi në burg, pasi ishte shpallur në kërkim për një vrasje të ndodhur më 4 nëntor të vitit 2000. Sipas burimeve zyrtare të policisë, për të njëjtën vepër Qose kishte marrë pafajësinë, por prova të reja çuan në rihapjen e gjyqit dhe në shpalljen fajtor të tij për “vjedhje me pasojë vdekjen e kryer në bashkëpunim.

Arrestimi

Mëngjesin e djeshëm, në shtëpinë e Ilir Qoses, në Kapshticë, mbërriti policia. I “çuditur” për këtë “vizitë të papritur” të uniformave blu, 37-vjeçari ka pyetur ka paraqitur dokumentet me të cilat provonte pafajësinë për veprën për të cilën policia pretendonte se ishte shpallur në kërkim. Madje, për 20 muajt e kaluar padrejtësisht në burg, ai kishte marrë edhe dëmshpërblim nga shteti shqiptar. Megjithatë, kjo nuk i ka bindur blutë që të bëjnë mbrapsht, pasi Qose është vënë në pranga dhe është dërguar në burg për të kryer ekzekutimin e vendimit që e dënonte atë me 20 vjet heqje lirie.

Historia

Tetë vjet më parë, klandestinët që shkonin drejt shtetit fqinj bëheshin herë pas here protagonistë të grabitjes me armë. E njëjta gjë ndodhi më 4 nëntor të vitit 2000, kur një grupi klandestinësh u dolën përpara tre vetë të armatosur dhe me maska. Nën kërcënimin e armëve ata u kërkuan refugjatëve që të dorëzonin të hollat dhe sendet me vlerë. Por, një prej personave që po tentonte të kalonte kufirin ka menduar që të përfitojë dhe të largohet. Një gjë e tillë ka qenë e pamundur, pasi njëri prej të armatosurve qëlloi në drejtim të tij, fakt që çoi në vdekjen e refugjatit. Për këtë ngjarje, policia e Devollit arrestoi Ilir Qosen, por në procesin gjyqësor të zhvilluar, ai arriti të merrte pafajësi nga Gjykata e Korçës. Më pas iu drejtua po gjykatës për të marrë dëmshpërblim për 20 muajt e kaluar në burg. Si rrjedhojë, Qose përfitoi një shumë prej 20 milionë lekësh. Megjithatë, duket se jo gjithçka është mbyllur me kaq. Familjarët e viktimës nga Lushnja kërkuan që të hetohej sërish për të gjetur prova të tjera për vrasësit e të afërmit të tyre, hetime që çuan prapë si emër në gjykatë Ilir Qosen, këtë radhë në mungesë, i dënuar me 20 vjet heqje lirie. Akuza e ngritur ndaj tij “vjedhje me pasojë vdekjen në bashkëpunim” rezultoi e provuar. Pas vendimit, policia shpalli në kërkim 37-vjeçarin, i cili u arrestua mëngjesin e djeshëm në banesën e tij në fshatin kufitar të Kapshticës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›