E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksisti 2, sekuestrohen në Kakavijë 7 kg heroinë

Tiranë- Pas operacionit të djeshëm, ku u sekuestruan 4 kg heroinë me destinacion Greqinë dhe u arrestua transportuesi, policia njofton për një tjetër të ndaluar dhe një sasi edhe më të madhe heroine.

“Policia e Shtetit në bashkëpunim me atë të Beratit finalizuan operacionin e koduar ‘Taksisti 2’, dhe bënë të mundur arrestimin e shtetasit, Fatbardh Dulla, 39-vjeç, lindur e banues në Uznovë, të Beratit me profesion taksist”- thanë burimet policore.

Arrestimi i këtij shtetasi është bërë pasi dje, tek Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë Gjirokastër, gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar prej tij, u gjetën të fshehura në pjesën e brendshme të këtij mjeti 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me një peshë prej rreth 7 kg e 255 gr.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia e lëndës narkotike, automjeti tip Mercedes Benz, me targë Br 2627 B, shuma prej 300 euro dhe 1.000 lekë të rinj, si dhe dy aparate celular.

Mbi këtë shtetas, sipas policisë, rëndon akzua e trafikimit të lëndëve narkotike, ndërkohë që materialet proceduriale në ngarkim të tij i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë për Krime të Rënda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›