E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikt interesi, ILDKP gjobit nëntë zyrtarë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka vendosur masën administrative “gjobë” për 9 zyrtarë, pasi u vërtetua gjendja e konfliktit të interesave mes funksionit publik dhe interesave të tyre private. Zyrtarët, punonjës të administratës tatimore e doganore, por edhe të institucioneve qendrore e njësive vendore, janë gjobitur me vlera nga 100 000 deri në 200 000 lekë, për shkak të shkeljes së kërkesave të ligjit nr. 9367, dt. 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Pas gjobitjes nga Inspektorati i Lartë, 7 prej zyrtarëve kanë reaguar pozitivisht, duke marrë masat për zgjidhjen e konfliktit të interesave. Dy zyrtarë, Anastas Leka me funksion këshilltar në institucionin e Avokatit të Popullit dhe Arben Karafili, doganier në degën e Doganës Kakavijë, ende nuk kanë marrë masat për zgjidhjen e situatës së konfliktit mes funksionit publik dhe interesave private. Subjekti Anastas Leka ka qenë administrator i një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar, veprimtari private që i ndalohet shprehimisht në nenit 38 të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005. Pavarësisht konstatimit nga ana e ILDKP-së, në kundërshtim me ligjin, subjekti nuk ka kryer veprimet për shmangien e konfliktit të vazhdueshëm të interesit, por ka kaluar nga “administrator” në “person fizik”, gjë e cila bie në kundërshtim me nenin 31 të ligjit. Subjekti Arben Karafili është në kushtet e konfliktit të interesave pasi, sipas nenit 32 dhe 38 të ligjit nr. 9367, dt. 07.04.2005, funksioni i tij si doganier bie ndesh me interesat private të një prej personave “të lidhur” të tij (sipas kuptimit të ligjit janë prindërit e zyrtarit dhe bashkëshortes dhe fëmijët madhorë). Ky “person i lidhur” zotëron në mënyrë aktive pjesë në kapitalin e një shoqërie që ka si objekt të aktivitetit të saj tregtimin e mallrave të ndryshme industriale, ushqimore në vend dhe import-eksport, si edhe transport mallrash për vete dhe të tretë brenda e jashtë vendit, aktivitete që përfshihen në sferën e veprimtarisë së subjektit. Deri në ditën e sotme, Inspektoratit të Lartë nuk i rezulton të jenë kryer veprimet e duhura nga zyrtari për shmangien e konfliktit të vazhdueshëm të interesit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›