Rrëshqitjet e tokës, dëmtohet rruga nacionale Kukës-Tiranë
Ngritja e temperaturave dhe shkrirja e akullit ka sjellë një tjetër problem në Verilindje të vendit, atë të rrëshqitjes së tokës. Për pasojë janë dëmtuar disa prej rrugëve të rëndësishme që lidhin këtë zonë me pjesën tjetër të vendit. Kështu, rruga nacionale Kukës-Tiranë ka pësuar dëmtime të ndjeshme në disa pika, kryesisht në zonën e Shën Mërisë dhe Qafës së Malit duke e bërë të vështirë dhe të rrezikshëm kalimin e automjeteve. Mësohet se dëmtimi më i madh ka ndodhur në vendin e quajtur Vrish, 10 km larg Shën Mërisë ku në një gjatësi lineare prej dhjetëra metrash, toka ka pësuar zhvendosje duke shkaktuar çarjen e tabanit të rrugës. Shembja e ndodhur para dy ditësh ka dëmtuar plotësisht gjysmën e trasesë duke e ngushtuar rrugën dhe e bërë njëkalimëshe. Shoferët që qarkullojnë në këtë aks, tregojnë se në këtë segment krijohen radhë të gjata automjetesh, sidomos kur kalojnë kamionë të tonazhit të rëndë. “është me të vërtetë e frikshme të kalohet kjo pjesë e dëmtuar. Nuk ka asnjë garanci se trupi i rrugës të mban dhe, për më tepër edhe të kthehesh prapa nuk ke nga të kalosh, në një farë mënyre detyrohemi të rrezikojmë”, thotë një shofer nga Kukësi.
Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e Rrugëve është e sensibilizuar për këtë pjesë të prishur dhe për pjesë të tjera të ngjashme, por nuk arrin të përballojë situatën.
#