Spitali "Nënë Tereza" në ditë zie, mungon gjithçka
Nëse duhet t‘i nënshtrohesh një ndërhyrjeje kirurgjikale në QSUT, duhet të marrësh dorezat dhe anestezinë me vete. Mjekët kanë vetëm bisturinë në dorë. Gjithçka duhet ta blesh në farmacitë jashtë spitaleve. Edhe vigonin për serum duhet ta sjellësh me vete. Qendra spitalore "Nënë Tereza" është katandisur në gjendjen më të keqe të historisë së saj. Mosfurnizimi i sallave të operacioneve me materiale mjekësore dhe aparatura i detyron shpeshherë mjekët që një pjesë të rasteve t‘i kthejnë mbrapsht pacientët, duke mos i marrë përsipër për kurim, ose të sëmurët drejtohen në klinika private për ndërhyrje të thjeshta. Kjo ka bërë që si i vetmi "shpëtim" për pacientët të mbesin farmacitë dhe laboratorët e analizave private të qytetit, ku fatura financiare është e lartë. Pacientët ankohen se janë të detyruar të blejnë deri edhe paracetamolin, duke mos llogaritur ilaçet e tjera, të cilat nuk gjenden në spital. Mjekët pranojnë se gjendja është alarmante dhe mungesat janë të mëdha. Mungesat e barnave në pavione të ndryshme të QSUT-së, tashmë janë kthyer në një fenomen të përhershëm. Listës së mungesave në këtë spital, përveç barnave, i shtohet edhe ajo e reagentëve laboratorikë, si edhe ajo e shiringave, të cilat duhet të blihen, gjithashtu, në sektorin privat. As analizat e gjakut nuk mund të kryhen në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza", sepse nuk gjen reagentët. Prej kohësh mjekët presin furnizimin me medikamentet, që kanë kërkuar. Situata e krijuar i ka rënduar jo pak xhepat e pacientëve apo të familjarëve të tyre, të cilët janë të detyruar që t‘i blejnë barnat nëpër farmacitë private e më pas t‘i sjellin në spital. Mungesa e reagentëve në laboratorin e spitalit ka sjellë edhe pamundësinë e kryerjes së një sërë analizash laboratorike, të cilat janë të domosdoshme për diagnostikimin e të sëmurëve. Ndërkohë që, situata është krejtësisht e kundërt në farmacitë private, ku nuk ndihet as mungesa e barnave mjekësore dhe as mungesa e mjeteve që duhen për ndërhyrje kirurgjikale.