Ndahet nga jeta aktori Perika Gjezi
Ndahet nga jeta në një aksident tragjik, aktori i njohur i teatrit të Korçës, Perika Gjezi. Aktori, i cili ka interpretuar dhjetëra role komike dhe dramatike, ka gjetur vdekjen e menjëhershme në një aksident që ka ndodhur në mesditë, në rrugën e Voskopojës. Ndërsa ka qenë duke drejtuar mjetin e tij tip “Golf”, në zbritje të fshatit të Voskopojës, aktori Perika Gjezi është përplasur me një mjet tip xhip, që udhëtonte në ngjitje drejt Lekasit. Aktori udhëtonte i vetëm dhe ishte duke u kthyer në qytetin e Korçës. Perika Gjezi njihet për karrierën e gjatë profesionale në teatrin e Korçës dhe për rolet e shumta që ka interpretuar në skenë përkrah aktorëve të njohur të skenës dhe kinematografisë si Aleko Prodani, Zamira Kita, Marko Bitraku, Petrika Riza etj. Ai ka spikatur me interpretimet e shumta në zhanret e tragjedisë dhe komedisë. Së fundi, Perika Gjezi ka luajtur në komedinë “Nina”, ndërsa ka pasur një sërë rolesh të rëndësishme si te drama “Pamje nga Ura”, “Dënimi i dytë i Homerit”, “ëndrra e një nate vere” etj. Aktori numëron mbi 120 role në skenën e teatrit “Andon Zako çajupi” të Korçës, ku së fundmi ishte propozuar edhe për postin e drejtorit të këtij teatri.
#