Spitali i Lushnjës në rikonstruksion, riorganizime të përkohshme

TIRANË, 16 prill /ATSH/Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale reagoi sot pas deklaratave të deputetit të Partisë Demokratike sot në Kuvend, Saimir Korreshi.
Ky i fundit, renditi disa nga problematikat sa i përket shëndetësisë në Lushnje dhe më gjerë.
“Dua t’i them ministres Sala se nuk hyhet në Evropë pa pambuk e jodio, pa mamografi e eko që nuk punojnë në Lushnje, se po çojmë në Lushnje dhe po na dalin lushnjarët të gjithë fierakë”, tha Korreshi.
Ndërsa, në reagimin e MSHMS thuhet se në lidhje me deklaratat politike sot në Kuvend, sqarojmë se ato nuk pasqyrojnë situatën reale në Spitalin e Lushnjës.
“Spitali ndodhet aktualisht në proces rikonstruksioni, ndaj janë bërë riorganizime të përkohshme të shërbimeve, pa ndërprerë asnjë shërbim për qytetarët. Nuk ka mungesë të materialeve bazë si pambuk apo alkool. Furnizimi është i rregullt”, cilësohet në njoftim.
MSHMS thekson në njoftim se asnjë shërbim mjekësor nuk është ndërprerë për qytetarët.
“Shërbimi gjinekologjik është zhvendosur përkohësisht brenda ambienteve të spitalit për shkak të punimeve për rikonstruksion, ndërsa pajisja e mamografisë është plotësisht funksionale”, sqaron MSHMS.
/e.i/a.f/