Spitali me 5 yje
Për çdokënd, kontakti me spitalin është i mundimshëm dhe i sikletshëm. Por, të futesh në objektet e Acibadem Hospitals Group në Stamboll të Turqisë, vërtet të duket vetja si në ëndërr, pasi gjithçka aty lidhet me perfeksionin. Aty harroni për një çast se përse keni shkuar.
Acibadem Hospitals Group është lider i spitaleve private në Turqi dhe njëri prej gjigantëve spitalorë në botë. Ky spital posedon mjetet më të sofistikuara dhe teknologjinë më moderne të momentit, që e bën atë një spital modern dhe me pesë yje. Grupi i spitaleve Acibadem është themeluar në vitin 1991 nga Mehmet Ali Aydinlar, kur përmbante vetëm 400 shtretër.
Me kalimin e viteve, Acibadem zgjeroi vrullshëm veprimtarinë. Tash, ky grup gëzon spitale të përsosura, të cilët të lënë pa mend në aspektin vizual, por edhe për shërbimin profesional. Viteve të fundit, numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë nga ky spital, i cili ka aparate që kushtojnë miliona euro, është rritur për 150 për qind.
Acibadem ka zgjidhje, pasi që tash posedon 11 spitale moderne dhe 8 klinika (qendra medicinave), të cilat gjenden në Evropë dhe Azi. “Në grupin Acibadem, në vit kërkojnë shërim 2 milionë e 200 mijë pacientë, prej tyre 2500 nga Ballkani. Natyrisht, kemi pacientë edhe nga Kosova e Shqipëria”, shpjegon Yalçin Nak, ndihmësdrejtor i Acibadem Hospitals Group.
Njëri ndër pacientët shqiptarë që e ka provuar këtë spital është Edis Duçellari nga Burreli. Ai tregon se është operuar në stomak, për ngushtimin e tij, pasi kishte mbipeshë, por ka bërë ndërhyrje kirurgjike edhe në hundë, për çështje estetike. Këto dy operacione i kanë kushtuar 15500 euro.
“Gjithçka ka shkuar mirë. Jam më shumë se i kënaqur. Pas këtij operimi në stomak, mjekët më kanë premtuar se do të dobësohem për 30-40 kilogramë”, pohon pacienti shqiptar.
Gjithashtu, Acibadem Hospitals Group ka marrëveshje me fondin shëndetësor të Kosovës, Serbisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe të Kazakistanit. Acibadem Group, i cili ka edhe helikopter, ka partner kryesor spitalin e njohur privat maqedonas, Sistina. Yalçin Nak nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen, Acibadem të bashkëpunojë edhe me ndonjë spital privat kosovar, pse jo edhe me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nëse i bëhet ndonjë ofertë.
Acibadem është i përpiktë dhe ka përvojë në të gjitha ‘zhanret’ e mjekësisë, por është paksa më i veçantë në kardiokirurgji për fëmijë, ku zë vendin e tretë në botë. Po ashtu, shquhet edhe në onkologji, ku është i specializuar. Posedon aparate-robotë, që e kryejnë punën pa dorën e mjekut, vetëm me komandime. Acibadem Group, vitin e ardhshëm planifikon ndërtimin e dy spitaleve të tjera, në kryeqytetin turk, Ankara dhe në qytetin Bodrum. Spitali i këtij të fundit do të ketë përmasat 230 mijë metra katrorë: do të përmbajë 1400 krevate, 1600 mjekë dhe 3000 motra.
Acibadem Hospitals Group, në Turqi dhe më gjerë njihet edhe në pika të tjera: në llogarinë e këtij gjiganti të mjekësisë ekziston edhe Universiteti i Mjekësisë, Kompania private e Sigurimeve, Kompania hoteliere për ushqim dhe mirëmbajtje, por bën edhe projektimin, ndërtimin, furnizimin, blerjen e teknologjisë dhe menaxhimin e spitaleve të ndryshme.
Natyrisht, teknologjia e përsosur luan rol të rëndësishëm tek Acibadem Hospitals Group, por kjo nuk do të mjaftonte po të mos ishin mjekët po ashtu të përsosur dhe mjaft efikas.