E Shtunë, 31 Tetor 2026

BIRN “dënon” tri parti

LDK, PDK dhe AAK janë ndëshkuar nga PZAP me mbi 12 mijë euro për procesin e rivotimit në Mitrovicë, në bazë të ankesave të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN). Ndërkaq të gjitha ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje janë hedhur poshtë. Nga Valmir Klaiqi më 27 janar 2011 në ora 12:29

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim për 11 ankesat e parashtruara për procesin e rivotimit në Mitrovicë.

Pesë nga ankesat i kishte deponuar Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), ndërsa 6 tjerat Lëvizja Vetëvendosje. Në ndërkohë, kjo e fundit kishte tërhequr ankesën që kishte të bëjë me Tv Mitrovicën e Nexhmedin Spahiut.

Në vendimet ë cilat i ka siguruar Gazeta Express, PZAP ka hedhur poshtë të gjitha ankesat e Lëvizjes Vetëvendosjes, ndërkaq i ka aprovuar dy të BIRN’it.

Në bazë të ankesës numër 104, Lidhjes Demokratike të Kosovës i është shqiptuar gjoba prej 4800 euro e cila duhet të paguhet brenda dy javësh.

BIRN ka denoncuar LDK’në se të shtunën, në ditën e heshtjes zgjedhore, kandidati i LDK’së për deputet, Xhafer Tahiri, kishte shpërndarë ‘sms’ nëpërmjet telefonit mobil. Nëpërmjet mesazhit telefonik është dërguar ky tekst: “I nderuari mitrovicas, voto LDK 36. Beso në rini. Voto mr.sc. Xhafer Tahiri Kryetar i FRLDK me numër 35. Vota juaj do të jetë zëri i rinisë në Parlament”.

Ankesa tjetër e aprovuar e BIRN’it do t’ia zbrazë kuletën PDK’së dhe AAK’së.
Secila nga këto subjekte politike, sipas vendimit të PZAP’së numër 99, duhet të paguajnë nga 4000 euro.

BIRN i ka denoncuar PDK’në dhe AAK’në se në ditën e zgjedhjeve më 23 janar në vendvotimin në Shkollën Fillore “Fazli Greiçevci”, janë parë materiale propagandistike të këtyre dy partive shumë afër vendvotimit.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ende nuk ka dhënë rezultatin përfundimtar të rivotimit në Komunën e Mitrovicës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›