Serbët edhe kundër parkut
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtare (USAID) ka investuar 60 mijë euro për ndërtimin e një parku dhe këndi për fëmijë në pjesën veriore të Mitrovicës.
Por përurimi i tij është penguar nga një grup protestuesish, shumica prej të cilëve, sipas burimeve të KosovaPress-it, ishin pjesëtarë të MUP-it të Serbisë.
Përurimi i parkut ishte planifikuar të bëhej rreth orës 10, por për shkak të këtyre protestuesve është realizuar në orët e pasdites, atëherë kur ata ishin bindur nga bashkëqytetarët tjerë të tyre dhe ishin shpërndarë të qetë.
Dhjetëra pjesëtarë të MUP-it, të cilët ishin tubuar te parku në cilësinë e qytetarëve, kanë protestuar kundër përurimit të këtij parku, duke shprehur në këtë mënyrë kundërshtimin e “qytetarëve serbë” ndaj USAID-it dhe investimeve të saj këtu.
Drejtoresha e programit nga USAID-i, Ginka Kapitanova, ka thënë se punimet janë inicuar nga një grup qytetarësh në bashkëpunim me një ekip komunal, duke siguruar mjete në vlerë prej 60 mijë euro.
Sipas saj, USAID-i është i përkushtuar në menaxhimin e mirë, ndihmën dhe shërbimet e mira për qytetarët, ndërsa ky program është i dizajnuar për të shprehur mbështetjen e SHBA-ve për demokracinë dhe qeverisjen efektive lokale.
Sidoqoftë parku i ndërtuar nga paratë e USAID-it për fëmijët do të jetë në dobi të rreth 600 familjeve të cilat jetojnë në këtë pjesë të qytetit, por edhe për qytetin në përgjithësi.