E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali, pavijon shitjeje për ambulantët

Vasili hap dyert e QSUT për tregtarët, i mbyll për familjarët


Në korridoret e brendshme të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza është e rrallë të shikosh më,  familjarë  tek ecejaken pa pushim. Edhe pse duket sikur urdhri për mos lejimin e familjarë në dhomat e pacientëve, është kryer me përpikshmëri kjo gjë të krijon mosbindje kur sheh që dhomat në pavijone çdo dhjetë minuta hapen me furi nga tregtarët ambulantë.

Syri të zë grumbuj familjarësh tek presin mbrapa dyerve të mbyllura, në të gjithë katet e spitalit nr 1, tek pavijoni i zemrës, i sëmundjeve të brendshme apo edhe në katet e sipërme ku kurohet diabeti e sëmundja e veshkave. Përmes kësaj gjullurdie paradoksi më i madh është fakti që  shitësit ambulantë që tashmë spitalin e kanë kthyer në një treg të vogël medreseje hyjnë e dalin pa shqetësimin më të vogël, e familjarët e pacientëve qëndrojnë mbrapa dyerve të shtrënguara fort. Tregtarët me çanta të mëdha në duar, me tepsi ku shiten që prej byrekëve që kushedi se qëkur janë përgatitur, e deri tek ëmbëlsirat e ndryshme hyjnë e dalin pa komunikuar asnjë fjalë me portieren që qëndron tek dera e nervozuar. E ulur në karrigen ngjitur pas derës, kjo punonjëse e veshur me përparësen e bardhë duket sikur bën ligjin në pavijonin e hematologjisë pasi me përgjegjësinë më të madhe përjashton familjarët duke iu ulëritur në fytyrë se nuk ka shkuar akoma orari i vizitave. Pikërisht ashtu e ulur në afërsi të derës kryesore, duke e përplasur atë me inat kur ndonjë prej familjarëve që ka ardhur nga larg e ka udhëtuar për disa orë për të parë familjarin e tij debaton me të e hap paksa derën e lë të futen njëri pas tjetrit çdo dhjetë minuta shitësit ambulantë. E kur familjarët i kërkojnë të sqarojë se përse fut tregtarët e ata që kanë udhëtuar nga larg nuk i lë as 5 minuta të shohin familjarët e tyre ajo, punonjësja e cila bën roje në derën kryesore të pavijonit të hematologjisë e veshur me bluzën e infermieres, fillon ti ofendojë më fjalë që i dëgjon vetëm në rrugë. Nuk të jap llogari, e di unë se kë fut ska çtë duhet ty idiot, mos më mërzit shumë ulëret pa u menduar dy herë punonjësja tek dera. Ndërsa situata në katin e parë aty ku ndodhet edhe polici paraqitet krejt e ndryshme. Në shumicën e rasteve kur ky i fundit duket se e ka harruar urdhrin e fundit të drejtorit te tij futen në derën kryesore duke u ngjeshur qytetarë, familjarë e gjithë çjanë. Ndërsa në rastet kur polici shikon që mjekët janë duke zbritur nga shkallët, çohet me vërtik edhe ulëret: Nuk janë tani oraret, shikojeni njoftimin 2 me 5 tek familjarët ju lutem. Por ka edhe nga ata familjarë që kanë udhëtuar për orë të tëra për të parë të sëmurin familjar edhe që duhet të futen medoemos në spital. Këta të fundit për mos të bërë debat me policin i cili në fillim është i bindur që mos ta lejojë familjarin lëkundet kur sa herë që ndonjë prej familjarëve i zgjat dorën me ndonjë 2 mijë lekësh të vjetër. Aty polici lëkundet tërësisht dhe i thotë me shaka se barrierën e parë e ka kaluar po me rojën e katit të dytë si jep shumë siguri. Nëse halli të zë edhe në ndonjë dhomë ke të shtruar ndonjë familjar përveç mungesës së kushteve dhe atyre të ilaçeve hall më vete janë shitësit ambulantë që çdo 10 minuta apo një çerek ore hapin derën me vërtik e fillojnë i bëjnë reklamë produkteve të ndryshme që kanë në dorë. Gra të ngarkuara me çanta të mëdha në të cilat kanë futur veshmbathje nga më të ndryshmet të luten për të blerë ndonjë kanatjere apo ndonjë palë pizhame. Nga ana tjetër ka edhe nga ata shitës që veshur me bluzën e infermieres të ofrojnë karta telefoni nga të gjitha llojet pa përjashtim. Por nuk mungon as ndonjë fotograf o çastit me disa fotografi në dorë e me aparatin fotografik të çilin e shtrëngon duke tu lutur për ndonjë kujtim të fiksuar në aparatin fotografik pikërisht aty ku je, me rrobat e spitalit e me njollat e mureve tërë lagështirë.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›