"Spiunet", te qete deri ne shtator
Projekti per hapjen e dosjeve te ish-sigurimsave te shtetit shtyhet per sesionin e ardhshem parlamentar, ne shtator. "Kercenimi" i Partise Socialiste, dy dite me pare, se nuk do te pranoje diskutimin mbi nje projekt te Partise Demokratike per verifikimin e me pas largimin nga administrata e larte shteterore e spiuneve, solli terheqjen e se djathtes ne pushtet. Duke e vleresuar si nje projektligj te rendesishem, qe kerkon nevojen e konsensusit dhe nga opozita, kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, pranoi dje te leshoje pe e t'i leje me shume kohe ne dispozicion paleve te negociojne e reflektojne per nje projekt te vetem e konsensual per kete ceshtje. "Nuk duam qe te bejme nje ligj te njeanshem. Jemi te hapur per diskutime, presim reflektimin e opozites", tha Patozi, duke i dhene kohe debatit per kete ceshtje. Por, per kete sesion parlamentar, deputetet nuk kane me kohe as te diskutojne e aq me pak per te vendosur se si do t'i ndeshkojne "spiunet". Kuvendit i kane mbetur me pak se 10 dite pune, para mbylljes se ketij sesioni parlamentar, per t'u rikthyer serish ne shtator. Muaj ku do te mund te rinisin diskutimet mbi projektin e pastertise se figurave, per te cilin deri me sot u be "shume zhurme per asgje". Te njejtat sinjale per reflektim erdhem dje dhe nga kampi i majte. Kryetarja e Grupit socialist, Valentina Leskaj, u shpreh se mes paleve ka shume mosbesim per kete ceshtje, ndaj reflektimi ne kete rast eshte i domosdoshem. Leskaj nuk mundi te mohoje shtyrjen e diskutimeve per sesionin e ardhshem parlamentar te projektit. Pavaresisht se demokratet theksuan me bindje nje jave me pare se ligji do te jete gati ne fund te ketij muaji. "Koha qe ka mbetur ne dispozicion per te diskutuar mbi kete projekt te rendesishem nuk eshte e mjaftueshme. Ndaj them se dhe deklarata e OSBE-se per kete ceshtje ka qene ne te njejten linje", tha Leskaj. Madje, ajo vuri ne dukje dhe raportin e fundit te Bashkimit Evropian mbi parlamentin, ku, sipas saj, ne nje paragraf theksohej si nje nga kritikat me te forta ne funksionimin e parlamentit, ka qene ceshtja e miratimit te ligjeve me nxitim. Ndaj, sipas kryetares se grupit, gjerat ne raste te tilla duhet te merren me qetesi. Perplasja per projektin e "spiuneve" arriti kulmin ne mbledhjen e Komisionit te Ligjeve, dy dite me pare. Anetaret socialiste ne kete komision braktisen sallen per te mos marre pjese ne shqyrtimin e projektit e ri te PD-se per kete ceshtje, te percjelle nga relatori Aldo Bumci. PD ne draftin e ri ben klasifikimin e hierarkise shteterore, qe duhet verifikuar dhe kerkon largimin e tyre nga detyra, ne rast se ata rezultojne te perfshire. Ndersa PS kerkon hapjen e arkivave per te gjithe dhe te lihet ne vullnetin e te zgjedhurve nese duan te largohen apo jo nga detyra. Rozeta Rapushi