Pëllumbat e Ballkanit

Mesazhe paqeje u përçuan nga Peja, e cila të premten ishte nikoqire e një ngjarjeje me karakter rajonal.
Ministra, zëvendësministra dhe krerë të ushtrive të gjashtë shteteve të rajonit morën pjesë në konferencën e parë rajonale për siguri, e cila u organizua nga Kosova.
Hapjen e kësaj konference e bëri Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndër-rajonal për stabilitet dhe paqe.
Jahjaga u bëri thirrje vendeve të rajonit që të bashkojnë forcat për të siguruar stabilitet, paqe dhe siguri në rajon.
“Është e pamundur që duke u thirrur në sovranitetin e plotë të shtetit, dikush të ndërtojë shoqëri jodemokratike e të dhunshme duke përdorur aparatin represiv dhe forcat e armatosura siç ka ndodhur në të kaluarën”, tha ajo.
Jahjaga ka ripërsëritur se Kosova nuk është peng e historisë së saj të hidhur dhe se atë e sheh në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe anëtarësimit në NATO.
“Vendi im po merr pjesë në nismat rajonale në fushën e sigurisë. Është qëllim i jonë që së shpejti t’i bashkohemi Partneritetit për Paqe, ku me kapacitetet tona ekzistuese të ndërtuara sipas standardeve më të larta evropiane dhe amerikane, mund të japim kontributin tonë në misionet dhe ndërmarrjet e përbashkëta humanitare për vendosjen dhe ruajtjen e paqes nëpër botë”, tha Jahjaga.
Edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke kujtuar të kaluarën, shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të kontribuar për paqe dhe siguri në rajon.
Sipas Thaçit, secili shtet në rajon duhet të luajë rolin e promotorit të përgjegjshëm të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës euro-atlantike.
“Vetëm një Ballkan që jeton në harmoni dhe është pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO’s është rruga dhe vizioni që duhet të ndjekim”, theksoi Thaçi, duke kujtuar se si para 12 viteve as që do të ishte menduar se do të mund të realizohej një takim i tillë i përbashkët.
Mysafirëve në konferencë, ndër të tjera, iu drejtua edhe nikoqiri i tyre, ministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Agim Ceku. Ai theksoi se synimi i kësaj ministrie mbetet anëtarësimi i Kosovës në strukturat ndërkombëtare të sigurisë.
Ndryshe, kjo është konferenca e parë rajonale për siguri, ku përveç Kosovës si nikoqire, morën pjesë Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia dhe Sllovenia, si dhe zyrtarë nga Komanda e SHBA-ve për Europë dhe NATO’s. Në fund të kësaj konference është nënshkruar një deklaratë.
“Në tekstin e Deklaratës së Përbashkët, pjesëmarrësit e konferencës u fokusuan në afirmimin e qëllimeve të tyre për të arritur bashkëpunimin në nivel bilateral, rajonal dhe Euro-Atlantik, në fushën e sigurisë si edhe në fushën e përgjigjes ndaj emergjencave civile” ka njoftuar Ministria e Forcës së Sigurisë.
Në këtë konferencë nuk morën pjesë Bosnja dhe Serbia. Kjo e fundit nuk ishte ftuar fare.