E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sport, nëse pi doping futesh në burg

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Kombëtar Antidoping, i kryesuar nga zëvendësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe kryetar i këtij Komisioni, Ekrem Spahiu, zhvilloi dje takimin e tij të radhës për të diskutuar probleme që kanë të bëjnë me angazhimin e Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare Antidoping të UNESCOs, Kodin Botëror Antidoping dhe masat e deritanishme në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga këto dokumente. Fillimisht, zoti Spahiu bëri një përmbledhje të punës së deritanishme të Komisionit, e cila vlerësohet pozitive në drejtim të masave të marra për parandalimin e përdorimit të substancave doping nga ana e sportistëve pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. Dëshmi e kësaj janë rezultatet e sportistëve në kampionatet evropiane dhe botërore kualifikuese për në Lojëra. Një nga masat më të rëndësishme në luftën kundër përdorimit të substancave doping është nisma e ndërmarrë për të sanksionuar me ligj penalizimet e përdoruesve të substancave doping. MTKRS ka propozuar që të përfshihet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë një pikë e veçantë: “Shtrembërimi i konkurrencës (me dashje) nga pjesëmarrësit ose organizatorët, në garat sportive, nëpërmjet përdorimit të substancave të ndaluara përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”. Kjo masë po ndjek procedurën ligjore në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë. Një problem që meritoi vëmendjen e diskutimeve ishte dhe kontrolli paraprak antidoping i sportistëve olimpikë, tashmë të miratuar nga KOKSH. Për këtë u la detyrë që Drejtoria e Sporteve në bashkëpunim me Komisionin Mjekësor pranë KOKSH të shohë mundësinë e realizimit të një kontrolli të tillë para nisjes për në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. U sugjerua gjithashtu që, në bashkëpunim me KOKSH, të gjithë sportistët pjesëmarrës në Olimpiadën e Pekinit të nënshkruajnë një Deklaratë Personale për mospërdorim të substancave doping, të konfirmuar dhe nga zyrtari i Federatatës Sportive përkatëse dhe Komisioni Mjekësor i KOKSH. Komisioni Kombëtar Antidoping, në masat e tij për të realizuar angazhinet dhe detyrimet e tij në implementimin e Konventës Ndërkombëtare dhe Kodit Botëror Antidoping, vendosi t i propozojë ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve miratimin e një buxheti të veçantë për realizimin e testeve dhe kontrollit antidoping në Laboratorin e Akredituar Doping të Greqisë (mbi bazën e një marrëveshjeje bashkëpunimi dypalëshe), realizimin e spotit televiziv sensibilizues antidoping në bashkëpunim me KOKSH, botimin e listës së substancave doping në formën e broshurave për t u shpërndarë në mjedise sportive stërvitore, mjekësore dhe garuese. Për të nxitur dhe obliguar federatat sportive kombëtare që, brenda fondit grant, akorduar nga MTKRS, të parashikojnë dhe kryerjen e kontrolleve doping, Komisioni do t i propozojë ministrit që Drejtoria e Sporteve të përgatisë një amendim në udhëzimin e përbashkët të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe ministrit të Financave për të përcaktuar një zë më vete për kryerjen e analizave doping të sportistëve më cilësorë. Në bashkëpunim me departamentet përkatëse për edukimin dhe parandalimin e përdorimit të substancave doping pranë ËADAs dhe UNESCO-s, u la detyrë që të avancohet me projektin e paraqitur në zyrën e UNESCO-s, si dhe të shihet mundësia e përfitimit të një projektprogrami kombëtar për edukimin që ËADA ofron për shtetet që kanë pranuar Kodin Botëror Antidoping (hapi i parë) dhe janë në fazën e tyre të implementimit të Kodit. Kjo kërkon, pa dyshim, bashkëpunimin e ngushtë me Komitetin Olimpik Shqiptar si një detyrim i Deklaratës së Kopenhagës (2003) dhe bazë partneriteti për të bashkërenduar burimet si financiare ashtu dhe ndërgjegjësuese në luftën kundër përdorimit abuziv të substancave doping nga ana e sportistëve shqiptarë.

Ky lajm është publikuar: 27/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›