Sporti në udhëkryq, sfida të reja drejt privatizimit
Në ditët e sotme, shumë drejtues, specialistë, mësues, trajnerë që merren me sport dhe me zhvillimin e tij në Shqipëri, të hapur në biseda, “show” televizive, në shtypin e përditshëm pranojnë, se sporti është në udhëkryq dhe i pa integruar në nivel të sportit në Europë dhe botë. Rruga e sportit shqiptar është një rrugë e vështirë drejt Europës, ku zhvillimi i tij duhet të paraprihet nga forma të bashkëpunimit të biznesit me sportin dhe ku ky bashkëpunim të jetë një lidhje e pandarë, një nocion i përafrimit të sportit tonë me atë bashkëkohor europian. E gjithë kjo ka të bëjë me atë intensifikim të aktivitetit sportiv në Shqipëri, në fuqizimin ekonomik të tij dhe me krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta sportive–ekonomike për të përmirësuar kushtet dhe forcimin e institucioneve sportive në Shqipëri. Ne mund të ofrojmë argumente, teori, taktika e strategji të ndryshme për rritjen e standardeve të zhvillimit të tij në Shqipëri, sepse tranzicioni në sport u bë me ndryshime ligjore jo efektive, formale dhe që rezultuan pa rezultat pozitiv në zhvillimin e tij. Eksperienca e 20 vjetëve të fundit, pas daljes nga sistemi komunist i sportit dhe zhvillimi dhe tentimi për të hyrë në sistemin sportiv perëndimor, tregoi me vërtetësi, se sa të paftë ishim ne që merreshim me sport, për të përqafuar teorinë e sportit në ekonominë e tregut dhe format e zhvillimit të tij, në drejtim të administrim-marketingut reklamë dhe në përfitimin e të ardhurave të mjaftueshme për sportin. Në shumë vende të ish-bllokut komunist, sporti filloi të transformohej si shprehje e kulturës pluraliste dhe hyri në rrugën e ekonomisë së tregut dhe të vetadministrimit real. Duke pasur në konsideratë vakumin real, ligjor në sport dhe dobësinë e organizimit të sportit nga ana e shtetit në Shqipëri, dobësia e tij ndihet si një mangësi e madhe e shoqërisë sonë. Organizimi i centralizuar, dikur u zëvendësua me çorganizim të organizuar, i qëllimshëm në dëm të sportit tonë dhe e zhyti atë në një kaos total. Por, a jemi ne në gjendje të bëjmë analiza, diskutime, simpoziume dhe mbledhje dobiprurëse për të ndërtuar strategji zhvillimi perfekte? A kemi ne potenciale sportive njerëzore të pa aktivizuara në Shqipëri? Me plot gojën duhet të pranojmë se “Po”, ekzistojnë potencialet njerëzore, intelektuale dhe sportive! Rruga ku sporti ynë ka hyrë dhe ideja për të shkuar drejt privatizimit të plotë, është një rrugë e pashmangshme me gjithë pasojat e mëdha, që tranzicioni i lodhshëm në sport, ku ne duhet të pranojmë se privatizimi do ta mundë sektorin shtetëror të sportit (kombëtar dhe lokal). Privatizimi në sport është një mundësi reale që gjeneron mundësi të mjaftueshme dhe produktive për të arritur tregues me nivel të lartë në aspektin kombëtar të sportit dhe me një diferencë të madhe me sistemin e mëparshëm komunist. Analizat, studimet për performancën e sportit në privatizim, tregojnë përparësitë e tyre në aspektin financiar, ekonomik dhe tekniko-profesional të tyre, rruga drejt privatizimit është e vetmja rrugë suksesi për të dalë nga udhëkryqi, ku sporti ynë gjendet në të gjitha disiplinat. Tranzicioni në sport vërteton problematikën e tij drejt transformimit, dilemat, përpjekjet e dështuara për të ngritur lart performancën, përfaqësimin në rang kombëtar me rezultate jo dinjitoze, nga njerëz të sportit që kanë interesa personale ose të grupit që ata përfaqësojnë. Pikërisht, kjo periudhë duhet të përfundojë! Duhet të themi se privatizimi duhet të përshpejtohet në mënyrë urgjente dhe reforma në sport të shikohet si një qëndrueshmëri dhe stabilitet, që do të krijonte stabilitet dhe efektivitet ekonomik në të mirë të sportit. Sporti ynë ka vuajtur dhe po vuan në mënyrë të vazhdueshme dhe lëngon përditë me konsideratë. Në rajonin tonë, në Ballkan, sporti nuk ka kapital të mjaftueshëm në krahasim me vendet e zhvilluara perëndimore, prandaj dhe sporti është i pasuksesshëm (Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Serbi, Shqipëri, Bosnjë). Ligjshmëria legjitime, besueshmëria tek ajo, dashuria për sportin, kërkesa për ta zhvilluar atë drejt privatizimit, janë të pamjaftueshme dhe lënë për të dëshiruar në Shqipëri. Institucionet sportive duhet të reflektojnë (MKTRS, Komiteti Olimpik, federatat e ndryshme sportive) me eficiencë në përpilimin e ligjeve dobiprurëse për llogari të sportit, duke rritur në nivel të lartë dhe me efektivitet vendimmarrjen, qeverisjen në rritjen e kapitaleve financiare të çdo institucioni në sport. Shumicës së injorancës në sport iu intereson mosfunksionimi i tij në baza ligjore. Ne kemi shumë për të bërë në drejtim të kapaciteteve strukturuese të sportit, si një garanci e ndërtimit të sistemit sportiv, në kushte të reja ekonomiko-sociale. Procesi i organizimit të sportit dhe orientimit të tij drejt Europës, kërkon reforma cilësore brenda vetë sportit për të bërë të mundur përshtatjen dhe njësimin në nivele të larta të sportit bashkëkohor. Brenda vetes në sport të ndërtohen kapacitete udhëheqëse, intelektuale me kritere të larta të shkollimit në fushën e sportit (lider në sport). Politika në sport ka dashur të kënaqë të gjitha palët, majtas e djathtas. Shqiptarët e duan sportin. Askush nuk mund t’i ndalë ata në rrugën e zhvillimit, as politika dhe as njerëzit e paaftë në sport. Ata duan të rrojnë me dinjitet, por të aftë fizikisht, për të bërë një jetë cilësisht të mirë. Reformat e ngadalta, të tejzgjatura të shtetit shqiptar e kanë lënë sportin shqiptar në një situatë të prapambetur shumë ku ne si komb duhet të reagojmë për vete dhe për brezat e ardhshëm.
SPORTI DUHET T’I PARAPRIJë JETëS TONë!
Autori: Specialist sporti
#