Sherr me pistoleta në buzuk, plagoset vëllai i deputetit
Një sherr me armë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku ka mbetur i plagosur vëllai i një deputeti, i cili edhe vetë akuzohet për plagosjen e një truproje lokali nate. Ngjarja ka ndodhur duke u gdhirë dita e djeshme në qendër të Tiranës, ndërkohë që policia ka arrestuar agresorin e vëllait të deputetit, ndërkohë që edhe ai do të arrestohet për plagosje me armë dhe armëmbajtje pa leje, por aktualisht ndodhet në spital.
Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se dje, rreth orës 06:00 të mëngjesit, janë njoftuar se një konflikt, ku ka pasur edhe të shtëna armësh, ka ndodhur tek “Alfa Buzuk”, që ndodhet pranë Rrugës së Barrikadave. Me t’u njoftuar, fillimisht në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit Nr.3, ndërkohë që më vonë kanë ardhur edhe specialistët e Seksionit Kundër Krimit ndaj Personit. Nga të dhënat e para ka rezultuar se aty janë dëmtuar katër persona, ku plagë më të rënda kishin marrë Arben Prenga dhe Shpëtim Marku. Prenga, i cili është nga Laçi dhe është vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Armando Prenga, është dërguar me urgjencë në spital, pasi ishte goditur me mjete të forta dhe kishte pësuar shumë plagë, si në kokë, ashtu dhe në trup. Policia tha se Arben Prenga është person që ka pasur edhe konflikte të tjera në Tiranë, ndërkohë që zotëron një klub nate pranë Kombinatit. Nga ana tjetër, Shpëtim Marku është arratisur fillimisht nga vendi i ngjarjes, por pa kaluar shumë kohë është kapur nga shërbimet e policisë kryeqytetase dhe është arrestuar për plagosje të rëndë ndaj Prengës. Policia shpjegoi se Marku punonte si truprojë në buzukun ku ndodhi sherri. Në pije e sipër, mendohet se Prenga dhe Marku janë zënë mes tyre. Kështu, Marku ka marrë edhe disa persona të tjerë, duke goditur vëllain e deputetit, i cili mbante armë me vete. Në atë kohë, Prenga ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar mbi badigardin, i cili ka marrë plagë të lehtë. Policia deklaroi se po punohet për sqarimin e plotë të ngjarjes dhe që vazhdojnë hetimet, të cilat mund të sjellin edhe arrestimin e vëllait të deputetit.
#