Jean-Louis Fournier
“Deri më sot kurrë nuk kam folur për djemtë e mi. Përse? Të kem pasur turp? Frikë se mos të tjerët më qanin hallin?
...Do t’ju dhuroj gjithsesi një libër. Një libër të cilin e kam shkruar për ju. Që të mos ju lënë në harresë, që të mos jeni vetëm një fotografi në një librezë invaliditeti. Që unë të shkruaj disa gjëra që kurrë nuk i kam thënë. Ndoshta brerjet e ndërgjegjes. Nuk kam qenë një baba shumë i mirë. Shpesh nuk ju duroja dot, ishte e vështirë t’ju doje. Me ju duhej të kishe një durim engjëlli, por unë nuk jam engjëll. T’ju them se më vjen keq që nuk mundëm të ishim të lumtur bashkë dhe ndoshta gjithashtu t’ju kërkoj ndjesë që nuk ju bëra të saktë. Ju dhe ne nuk patëm fat. Na ra në kokë nga qielli, quhet rrufe...”. Këto janë vetëm pak rreshta të Jean-Louis Fournier. Ka shkruar një libër të tërë me nota të tilla. Dëshpërim, dhimbje, vetëgjykim, por edhe ironi. Ironi ndaj vetes, ndaj Zotit, ndaj gjenetikës, ndaj të tjerëve që përpiqeshin dëshpërimisht të qeshnin para fytyrave të dy djemve të tij handikapë. Në fillim Mateo. Pastaj Tomi. Skenarist, humorist, i angazhuar vazhdimisht në televizionet franceze dhe shkrimtar, Jean-Louis Fornier nuk do të kishte mundur kurrë ta shkruante vetë një histori të tillë. “Ku do shkojmë o ba? është një rrëfim autobiografik, që autori ua kushton dy djemve të tij, “ndryshe nga të tjerët” i quan shpesh ai. I botuar në vitin 2008 u bë përnjëherë libri më i shitur dhe meritoi çmimin letrar “Femina” në Francë. Vjen në shqip nga shtëpia botuese “Ombra GVG”. Përkthyesi është Edmond Tupja. Ndoshta është kjo një rastësi si përkthyes i frëngjishtes, por vetëm pak kohë më parë përkthyesi i kushtoi një libër djalit të tij, atij që është jo si të tjerët. Libra të tillë e kanë të garantuar emocionin, dhimbjen, përlotjen... Por besoj kjo pak u intereson atyre që e shkruajnë. Pak duhet t’i ketë interesuar edhe Jean-Louis Fournier teksa ka hedhur këto fjalë. Të duhet të kapërcehesh shumë herë teksa kalon nga një faqe në tjetrën. Të bën edhe të mendosh, të ndihesh bosh, pastaj edhe të qeshësh. Fournier e ndjeu dy herë goditjen e fatit. Me “dy zogj me kokën të mbushur me kashtë”, ai nuk ishte një baba si gjithë të tjerët. Nuk do t’i shihte të rriteshin, por të kërruseshin, do të shihte kockat e tyre të brishta, vështirë të qëndronin mbi tokë, nuk do të mund t’i çonte në ditën e parë të shkollës, as t’u blinte një libër. Nuk i duhej të shqetësohej as se çfarë dege duhet të zgjidhnin. Nuk do të mundte kurrë të shkëmbente dy fjalë me ta. Do të dëgjonte Mateon që ishte i aftë t’i thoshte njëqind herë: “Ku po shkojmë o ba?” dhe Tomin që bën “rr-rr-rrëm”. Por tregon se e kanë bërë të qeshë. “Albumi ynë me fotografi të familjes është petë i hollë. Nuk kemi shumë fotografi të fëmijëve, nuk kemi dëshirë t’ua tregojmë të tjerëve. Një fëmijë normal e fotografojnë nga çdo anë, në çdo pozicion, me çdo rast: duke i fryrë qiriut të tortës kur mbush një vjeç, duke hedhur hapat e parë, duke bërë banjën e parë. Prindërit e shohin të emocionuar. Ata ndjekin hap pas hapi zhvillimin e tij. Ndërsa kur fëmijën e kanë handikap, nuk kanë dëshirë të ndjekin gremisjen e tij”. Fournier do të kishte dashur t’u blinte për Krishtlindje “Kimisti i vogël”, por ata nuk mund të luanin vetëm me kubat e të shkarravisnin çuditshëm. Prova e tretë për të bërë një fëmijë ishte e llahtarshme. Por ata ia dolën. Lindën Marien, një vajzë të bukur. Por kjo është tjetër histori për të. Më tej, bashkëshortja e tij nuk duroi më. Por edhe Mateo nuk qëndroi gjatë. Ai iku të kërkojë topin e tij në qiell. “Më fal Mateo. Nuk është faji im nëse kam pasur këto mendime të çuditshme. Nuk dëshiroja të tallesha me ty, ndoshta doja të tallesha me veten. Të dëshmoja që isha i aftë të tallesha me fatkeqësitë e mia”, shkruan Fournier. Libri i shkruar prej tij u komentua e vazhdon të komentohet gjatë. Vetë bashkëshortja e tij iu përgjigj me një artikull këtij rrëfimi. Jean-Louis Fournier nuk ka shkruar shumë faqe. As rreshta të ngjeshur. Ka shkruar aq sa ka menduar se i mjaftonte të nxirrte nga vetja. Ai e kishte pranuar tashmë se nuk ishte një baba normal si të tjerët. E dinte se djemtë e tij nuk do të ndienin në trup rrëqethjen e asaj që quhet dashuri. Në vend të kësaj, ai i çonte dhe i merrte me një makinë të bukur nga instituti ku kuroheshin. Ky ishte fati i tij. “Kur isha i ri, dëshiroja që më vonë të kisha një qerre me fëmijë. E përfytyroja veten duke iu ngjitur maleve me këngë në gojë, duke kapërcyer oqeanet me disa marinarë të vegjël që do të më ngjanin, duke i rënë botës kryq e tërthor i ndjekur nga një vargan i gëzueshëm me fëmijë kureshtarë e syxixëllues, të cilëve do t’u mësoja plot gjëra, emra pemësh, zogjsh dhe yjesh. Me fëmijë që do t’u mësoja të luanin basketboll e volejboll, me të cilët do të zhvilloja ndeshje që jo gjithnjë do t’i fitoja... Nuk pata fat. Luajta në lotarinë gjenetike, humba”.
“Ku po shkojmë o ba?”
Autori: Jena-Louis Fournier, Përktheu: Edmond Tupja
Botoi: “Ombra GVG”, çmimi: 500 lekë