E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’mund të vazhdohet me sehir të sertë

Të bësh sehir se çfarë bëjnë të tjerët, kjo mund të shpjegohet me një sërë faktorësh si, për shembull, kur nuk ke mundësi të mjaftueshme për të vepruar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve apo konflikteve që gëlojnë, kur nuk je i interesuar për të ndërhyrë, kur ndërhyrja që do të mund të ndërmerrje do të sillte efekte negative, kur të tjerët të përfshirë në konflikt nuk do të ta pranonin “ndihmën” etj etj. Të gjithë faktorët e mësipërm justifikojnë, ca plotësisht dhe ca pjesërisht, indiferencën për zhvillimin e ngjarjeve përtej shtëpisë tënde apo në një vështrim më të gjerë, përtej kufijve të tu. Por, të rrish e të bësh sehir me vështrim të sertë, të vëngër e të shtrembër brenda juridiksionit tënd, kjo padyshim që të shtyn të mendosh se, të paktën njëra palë e konfliktit të shkel interesat e pranuara dhe në këtë mënyrë nuk mund të vazhdohet gjatë. Fillimisht do të të duhej të përcaktoje fajësinë dhe qenien kundërshtar të tjetrit, për të vepruar energjikisht ndaj tij deri në zgjidhjen e ngërçit apo në normalizimin e situatës.
Nga krijimi i rrethanave të tilla nuk janë të imunizuar as shtetet, të cilët sidoqoftë kanë mundësi të shumëfishta që të sigurojnë zbatimin e masave të nevojshme, që nënkuptojnë jo vetëm ato me natyrë ligjore dhe represive, por edhe të tjera me karakter kontrollues dhe administrativ, si edhe të një kompleksiteti legjitim të të gjerë. Aktualisht, një konflikt i ashpër ka tërhequr javët e fundit vëmendjen e tërë opinionit të vendit. Arsyet e këtij interesimi publik kanë të bëjnë me trajtimin aspak njerëzor, arrogant dhe cinik të një kompanie të huaj ndaj qindra minatorëve të zonës krommbajtëse të Bulqizës, me pasoja jo vetëm për jetën e punëtorëve të tillë dhe familjet e tyre që popullojnë një qytet të tërë, por edhe të një pasurie të çmuar kombëtare. Kjo kompani e huaj prej vitesh shfrytëzon barbarisht këtë pasuri, duke mos zbatuar madje as kushtet e përcaktuara në kontratën koncesionare me shtetin shqiptar dhe në kontratën kolektive me punëtorët e këtij vendi.
Gjatë zhvillimit të një greve të përgjithshme të këtyre punëtorëve dhe brenda saj e ndërmjet tyre të një grupi minatorësh që kanë refuzuar për mbi tri javë në një galeri nëntokësore madje edhe ushqimin, kompania austriake ka deklaruar që do t’ua rrisë pagën dhe do të krijojë kushtet në ato përmasa që duhej të kishte nisur t’i bënte disa vite më parë. Por, minatorët nuk kanë dashur ta ndërpresin grevën dhe të kthehen kokulur në punë, sepse pa nënshkruar një marrëveshje me firmën e huaj nuk kanë garanci që s’do të trajtohen si më parë, se e dinë mirë që fjalët i merr nxitimthi era, sidomos në qytetin e tyre që njihet si qyteti i erërave, ngaqë janë të bindur se pa pjesëmarrjen në bisedime të titullarëve të Konfederatës sindikale të tyre me përfaqësuesit e kompanisë austriake kanë bindjen që mashtrimeve ndaj tyre nuk mund t’u vihet fre. Ndërsa kjo e fundit, edhe me gjuhën e presidentes së saj që fluturon enkas nga Austria nuk pranon të ballafaqohet me sindikatën dhe ngjyen ca ‘karta bakalli’ që ftojnë minatorët t’i nënshkruajnë veç e veç.
Në këtë situatë gjithnjë e më të ndezur, kompania “ACR” nuk zmbrapset dhe ngre flatrat mbi qytetarët e këtij vendi, që në folklorikën romantike njihet si vendi i shqiponjave. Kjo ndodh, me sa duket e kuptohet, sepse kjo Kompani në shkeljen e normave njerëzore dhe ligjore ka mbështetjen e qeverisë shqiptare, e cila nuk ndërhyn të zgjidhë konfliktin e krijuar, përveçse shpie në Bulqizë forca të shumta policie, për të nxjerrë nga galeritë minatorët grevistë, për të mbrojtur zyrat e administratës së kompanisë së huaj dhe për liruar rrugën nacionale nga turmat e punëtorëve dhe familjeve të tyre. Të gjendura përmbi dy muaj rresht këto tre-katër mijë familje pa asnjë të ardhur financiare dhe pa asnjë ndihmë elementare, nuk kanë mundësi t’i shpien tani fëmijët nëpër shkolla, se s’kanë libra që t’u blejnë dhe as bukë që t’i ushqejnë. Atëherë, përse qeveria bën sehir, përse ajo i lë dorë të lirë një kompanie të huaj, kur dihet që e drejta duhet të përbëjë bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit? Përse qeveria i sheh vëngër grevat e minatorëve, kur dihet që liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si edhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar? Përse qeveria vështron shtrembër ankesat e minatorëve, kur dihet që kushdo, vet ose së bashku me të tjerë mund t’u drejtojë ankesa ose vërejtje organeve publike, të cilat janë të detyruara të përgjigjen në afat dhe kushtet e caktuara me ligj?
Mund të ketë një varg arsyesh të njohura dhe të panjohura për krijimin e kësaj gjendjeje. Por, cilado qofshin ato, nuk mund të justifikojnë në asnjë mënyrë indiferencën e qeverisë. Aq më tepër që të drejtat e minatorëve janë plotësisht të ligjshme dhe duhej të ishin organet shtetërore ato, të cilat me kohë t’i kishin kërkuar llogari kompanisë së huaj për zbatimin e kushteve të vendosura në kontratën koncesionare. Pa folur pastaj për nëpërkëmbjen që u bën ajo në vazhdimësi dinjitetit të qytetarëve të këtij vendi, duke mohuar të drejtat dhe liritë e tyre, disa prej të cilave konsiderohen themelore, si kombëtarisht, ashtu edhe ndërkombëtarisht. Do të ishte e tepërt të kujtojmë këtu përgjegjësinë jo vetëm të një subjekti ekonomik të huaj, por edhe atë të shtetit shqiptar, që rrjedh nga moszbatimi i Konventës Europiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore, përmbajtja e disa dispozita të së cilës dhe e protokolleve shtesë të saj cenohen rëndë me trajtimin që u bëhet minatorëve të Bulqizës. Ashtu sikurse shkelen brutalisht dispozitat e Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, si edhe ato të Paktit tjetër Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, instrumente këto të ratifikuara prej kohësh nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, dhe si të tilla kanë epërsi mbi legjislacionin tonë të brendshëm.
Sa për të kujtuar, le të përqendrohemi shkurtimisht te Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, në tekstin e të cilit gjenden plot të drejta që duhen njohur, si ajo për punë (neni 6), ajo për të gëzuar kushte pune të drejta e të favorshme (neni 7), e drejta për të formuar sindikata e për t’u bashkuar në to (neni 8), e drejta për siguri sociale (neni 9), ajo për një standard adeguat të jetesës, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe strehimin (neni 11), e drejta për të siguruar gjendje më të mirë shëndetësore (neni 12) etj. Ndonëse termat e këtij Pakti janë të shprehura në mënyrë të përgjithësuar, sipas nenit 2/1 të tij: “Secili nga shtetet anëtare (palë) në këtë Pakt zotohet që të veprojë...,veçanërisht në planin ekonomik e teknik, me maksimumin e mjeteve që disponon, për të siguruar progresivisht ushtrimin e plotë të të drejtave të njohura nga ky Pakt me të gjitha mjetet e përshtatshme, përfshirë sidomos marrjen e masave legjislative”. Nga një shqyrtim më i thellë që i bëhet përmbajtjes së këtij neni, prej kohësh literatura botërore ka sqaruar një numër çështjesh, ndërmeret të cilave edhe atë që, ndonëse ky Pakt u mundëson shteteve për t’i implementuar të drejtat në mënyrë progresive, ato duhet të ndërmarrin masa të menjëhershme për këtë dhe të bëjnë kështu “duke i shfrytëzuar deri në maksimum mjetet në dispozicion”. Shteteve nuk u lejohet që ta shtyjnë pakufisht implementimin e të drejtave, apo t’i përdorin mjetet e kufizuara si arsyetim për mosveprim.
A e ekzistojnë realisht kufizime të tilla për shtetin shqiptar në zgjidhjen e situatës së krijuar? Në pikëpamje legjislative, nuk duket se ka ndonjë kufizim të kësaj natyre. Mjafton të përmendet Kodi i Punës, të cilin Kompania ACR as që e përfill fare. Edhe akte të tjera ligjore gjithashtu i bëjnë të vlefshme kërkesat e minatorëve. Ashtu sikurse edhe vet përmbajtjen e Marrëveshjes koncesionare të lidhur me këtë kompani, për shfrytëzimin e pellgut krommbajtës të Bulqizës. Nëse janë firmosur akte nënligjore që e bëjnë me krahë shoqërinë austriake në shkelje të të drejtave të përmendura më lart, kjo mbetet për t’u shqyrtuar. Prandaj është shumë e arsyeshme që qysh në seancat e para të sesionit parlamentar, i cili pritet të fillojë këto ditë me pjesëmarrje dhe kapacitete të plota, të kërkohet jo vetëm zhvillimi i interpelancave me kryeministrin, apo ministrat përkatës, por edhe ngritja e një komisioni hetimor rreth situatës së krijuar. Kuvendi ka plotësisht të drejtë, si edhe detyrë, që të kontrollojë zbatimin e marrëveshjeve nga ana e qeverisë. S’mund të vazhdohet më tej me këtë sehir të sertë që bën shteti ndaj shkeljes prej të huajve të të drejtave të shtetasve të vet, çka përbën gjithashtu një krim më vete i lidhur me veprat penale të korrupsionit, apo edhe të mosveprimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›