E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks, Reforma në polici, zyrtarët e korruptuar s’lëvizin nga vendi

TIRANE-Ambasadori amerikan në Tiranë ka shprehur shqetësimin për korrupsionin në radhët e policisë dhe në veçanti për moslëvizjen e Agron Kuliçajt nga posti i shefit të shërbimit sekret në polici. Në një kabllogram të dërguar nga ambasada amerikane drejt Departamentit të Shtetit, theksohet se ministri i Brendshëm, Lulzim Basha është vënë në dijeni për këtë, po ashtu edhe shefi i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

Por, Burgaj ka vënë në dukje se Kuliçaj është i lidhur ngushtësisht me kryeministrin Berisha dhe çdo përpjekje për ta lëvizur atë nga vendi duhet të vijë nga zyra e kryeministrit. “Një javë pas marrjes së detyrës, drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj njoftoi se do të bënte një rokadë në polici duke lëvizur të gjithë zyrtarët e lartë. Dy javë më pas u bënë ndryshime në policinë kufitare dhe në shumë drejtori të tjera.
Ambasada vlerëson faktin se ndryshimet ishin në përputhje me rregulloren dhe sipas standardeve, por është e shqetësuar se drejtori i Shërbimit sekret të Policisë, Agron Kuliçaj nuk u përfshi në ndryshime”, theksohet në kabllogram. “Burimet thonë se Kuliçaj është i korruptuar dhe donatorët e huaj refuzojnë të mbështesin policinë shqiptare për shkak të pranisë së tij. Burgaj tha se edhe ai vetë kishte probleme me Kuliçajn dhe të tjerë në polici që janë të korruptuar apo të lidhur me krimin e organizuar. Por, ai tha se nuk kishte pushtet për ta larguar apo lëvizur Kuliçaj. Ai tha gjithashtu se, nëse ambasada ishte e shqetësuar, ky shqetësim duhej të diskutohej me kryeministrin, pasi vetëm ai mund të marrë vendime për Kuliçajn”, theksohet në mesazh.

(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›