Stabiliteti i blerë

Abdullah bin Abdul-Aziz, mbreti 86-vjeçar i Arabisë Saudite, i cili gjithashtu mban edhe titullin e ‘Ruajtësit të Dy Xhamive të Shenjta’, vuante nga një dhimbje mesi vjeshtën e kaluar.
Dukej se kishte një rrëshqitje të rruazës së shpinës. Siç ndodh rëndom kur një anëtar i shtëpisë së Suudëve ka nevojë të konsultohet me një mjek, ai dhe përcjellja i tij hipën në bordin e një aeroplani dhe morën rrugën drejt Perëndimit, në New York, në të cilin një departament VIP-ash i spitalit Presbiterian ishte bërë gati për ta pritur. Lajmi i nisjes së mbretit mjaftoi për të shkaktuar një moment diskutimi në botën e gjeo-strategëve dhe spekuluesve të naftës.
Në fund të fundit, Arabia Saudite nxjerr nga nëntoka e saj çdo ditë rreth 9 milionë fuçi nafte, ose e thënë ndryshe, një të nëntën e prodhimit botëror të naftës. Mbretëria është i vetmi vend eksportues me të ashtuquajturën aftësi të ndryshueshme, ose me aftësinë për të vendosur në mënyrë të përkohshme për çmimin e naftës. Arabia Saudite, një shtet që është vetëm pak vite më i ri se mbreti që e drejton, është në prag të një ndryshimi të madh për sa i përket dinastisë qeverisëse.
Deri më tani, të gjithë burrat që kanë qeverisur vendin që nga vdekja e themeluesit të tij, Ibn Saud në vitin 1953, kanë qenë djemtë e mbretit. Por, edhe më i riu prej tyre aktualisht është 65 vjeç. Tashmë është vetëm një çështje kohe para se linja e pasimit të fronit të kalojë në duart e brezit të dytë dhe këtu pyetja është se cili nga 20 djemtë e mbretit që janë ende gjallë ka mjaftueshëm fuqi për t’i shndërruar djemtë e tij në mbretër të ardhshëm.
Në fillim të dhjetorit, mjekët në New Yorkut hoqën një nyje gjaku në shpinën e Abdullahut. Në fund të janarit ai udhëtoi drejt Marokut, për të qëndruar në pallatin e vëllait të tij, në afërsi të Sgadirit, siç bën zakonisht kur ka nevojë që të rikuperohet. Por siç doli, nuk ishte një qëndrim shumë relaksues. Një javë më pas, Tunizia kishte përzënë presidentin e saj, Ben Ali dhe sapo kishte filluar disa ditë më pas edhe revolucioni egjiptian. Për dy javë të vështira, mbreti Abdullah pa shokun e tij Mubarak, tashmë ish-presidentin e Egjiptit, që përpiqej më kot të mbante pushtetin. Më pas, vijuan edhe revoltat në Bahrejn, Jemen dhe Libi.
Bota arabe, në të cilën është rikthyer Abdullah, nuk ishte më e njëjtë me atë që kishte qenë disa javë më parë, pra para largimit të tij në New York, kur Abdullah mbërriti në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, të mërkurën e kaluar. Në lidhje me fatin e ardhshëm të Arabisë Saudite, nuk po bënin pyetje tani vetëm gjeo-strategët apo spekulatorët e naftës. Bëhet fjalë për pyetjen 1 miliard dollarë të revolucionit arab.
Kjo është pak a shumë shuma që mbretëria fiton çdo ditë nga çmimi aktual i naftës, pra ai i 114 dollarëve për fuçi. Deri ditën kur nisi revolucioni në Libi, ky vend prodhonte rreth 1.6 milionë fuçi nafte në ditë. Po çfarë do të ndodhet nëse ‘virusi’ i revolucionit do të infektonte edhe Arabinë Saudite? Pavarësisht sistemit para-modern në qeverisjen e vendit, kjo mbretëri konsiderohet si një nga vendet më të stabilizuara të botës arabe. Pjesa më e madhe e popullsisë ndikohet shumë nga besnikëritë fisnore, që janë zhvilluar përgjatë shekujve dhe nga një këndvështrim thellësisht konservativ që vjen nga Wahhabismi, një nga shkollat më të ashpra të islamit. Deri më tani, lidershipi i ka lejuar modernizimit një hapësirë që është e domosdoshme vetëm për një funksionim të shtetit. Por është kryesisht gjysma e popullsisë ajo që nuk ka të drejta dhe që vuan si pasojë e mungesës së tyre. Bëhet fjalë kryesisht për gratë.
Megjithatë, kjo kontratë sociale arkaike mbështetet nga pasuria jashtëzakonisht e madhe e Arabisë Saudite, të cilën sundimtarët e shpërndajnë me aftësi të vërteta patriarkale. Varfëria e tejskajshme, ajo që gjendet me shumicë në Jemen apo në Egjipt, nuk është një fenomen i përhapur në këtë mbretëri. Me të mbërritur në vendin e tij, Mbreti Abdullah i njoftoi qeverisë se kishte ndërmend që të rriste sasinë e parave të shpenzuara nga qeveria, për të ndihmuar të rinjtë për të blerë shtëpi, për të nisur familje dhe për të çelur biznese. Bëhet fjalë për një rritje nga 9 miliardë e parashikuar fillimisht, në 17 miliardë.
Ai gjithashtu tha se pagat e punonjësve të shtetit do të rriteshin për 15 për qind, për të rritur standardin e jetesës. Deri më tani asnjë nga paraardhësit e tij nuk ka treguar një shpërthim të tillë bujarie. Duket se udhëtimet në vendet fqinje kanë qenë të mjaftueshme që ta bëjnë mbretin të kuptojë që pavarësisht ndryshimeve, vendi i tij i ngjan shumë vendeve të prekura nga trazirat.
Jeddah dhe Riyadh janë qytete të mbushura me të rinj. Ata janë të dhënë pas internetit dhe rrjeteve sociale si edhe bashkëmoshatarët e tyre në Egjipt dhe në Tunizi. Ndërkohë, korrupsioni në radhët e elitës saudite është i madh. Ekseset e familjes mbretërore saudite, që përfshin rreth 7000 veta, janë më pak të vogla se ato të periudhës së mbretit Fahd. Megjithatë, në këtë vend çdo biznes është një burim të ardhurash për familjen mbretërore. Disa nga frustrimet që çuan në përmbysjen e presidentit tunizian, Ben Ali dhe Mubarakut, mund të kenë një ndikim edhe më drastik në Arabinë Saudite, në shoqërinë e saj. Kjo, për shkak se të rinjtë sauditë janë të shkolluar mirë, kanë parë botën dhe kanë qasje të madh në televizionet perëndimore dhe në internet.
Edhe në Arabinë Saudite, të bekuar me pasuritë e saj, shenjat e para të protestave po shfaqen dalëngadalë. Javën e kaluar, disa qindra shiitë të pakënaqur morën rrugët në afërsi të qytetit të Qatif dhe në Riad, 40 intelektualë i kërkuan mbretit, përmes një letre të apo reformat e reja politike. Faqet e para revolucionare në ‘FaceBook’ janë shfaqur tashmë dhe njëra prej tyre, madje bën thirrje për përmbysjen e regjimit dhe nisje të revolucionit në 11 mars.
Në një intervistë për ‘Der Spiegel’ para disa viteve, Princi Al-Waleed bin Talal, një multimiliarder, e përshkroi faktin e papunësisë tek të rinjtë sauditë, si një “bombë të kurdisur”.
Tashmë mbretëria po përballet me shumë më tepër se me një pyetje me vlerë 1 miliard dollarë. Ajo po përballet me çështjen nëse është apo jo e mundur që stabiliteti të blihet me para. (Der Spiegel)