Stabiliteti, vendimtar për rajonin
Zëvendëskryeministrja e Maqedonisë për çështje europiane, Teuta Arifi ka deklaruar se shqiptarët në rajon në tërësi kanë treguar konstruktivitet serioz për shumë vlera, në drejtim të stabilitetit rajonal dhe ky rol konstruktiv do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Në një intervistë për të përditshmen maqedonase Dnevnik , ajo ka theksuar se partia së cilës i takon përkushtohet për ruajtjen e stabilitetit në rajon, integritetin territorial të Kosovës si një element i rëndësishëm për stabilitetin rajonal.
“Përkushtimi ynë në BDI do të jetë për të ruajtur stabilitetin, integritetin territorial të Kosovës si një element i rëndësishëm për stabilitetin rajonal. Ndërsa, për integritetin territorial të Maqedonisë nuk kemi dilema, përndryshe nuk do të ishim në qeveri”, ka theksuar Arifi.
Në pyetjen në lidhje me deklaratën e fundit të Ali Ahmetit se ai nuk mund të garantojë paqe në vend nëse ka ndryshime të kufijve të Kosovës, Arifi është përgjigjur: "Përshtypja ime është se Ahmeti është një rojtar i madh i Marrëveshjes së Ohrit, ai ka mbetur i lidhur me të dhe mendoj se mbetet edhe më tej. Koncepti i BDI-së është modern dhe europian dhe qëndron për vlerat e integrimit".