Ndërtohen dy shtëpi për rastet sociale
Me ndihmën e shoqatës “Ndihmë të varfërve në Kosovë” me seli në Norvegji dhe me mbështetje të Komunës, ka filluar ndërtimi i shtëpive për dy familje me gjendje të rëndë sociale në Mitrovicë. Gjithashtu për ndërtimin e këtyre dy shtëpive janë duke ndihmuar edhe kompani të ndryshme private nga Mitrovica.
Kastriot Jashari, drejtor për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale në Mitrovicë, ka thënë të premten se problemi i strehimit mbetet sfida më e madhe për shumë qytetarë të kësaj komune.
Sipas tij, kjo është pasojë e rrethanave të pasluftës që ka rezultuar me zhvendosjen e një numri të madh të shqiptarëve nga Veriu, nivelin shumë të lartë të papunësisë etj.
Ai theksoi se Komuna e Mitrovicës e vetme nuk mund të përballojë kërkesat e mëdha për strehim. Për këtë, ai falënderoi donatorët e ndryshëm dhe në këtë rast drejtuesit e shoqatës “Ndihmë të varfërve në Kosovë”, që janë duke ndihmuar në Mitrovicë.
Jashari sqaroi se për ndërtimin e këtyre dy shtëpive, Komuna ka ndihmuar me nga 3 mijë euro. “Në kuadër të mundësive tona buxhetore, kemi ndarë një fond prej 6 mijë eurosh, apo nga 3 mijë euro për secilën shtëpi”, ka thënë Jashari. Ndërkaq, Mexhit Merovci, përfaqësues i shoqatës “Ndihmë të varfërve në Kosovë”, ka thënë se ka dy vjet që shqiptarët të cilët jetojnë në Norvegji kanë themeluar këtë shoqatë duke parë nevojën e madhe për të ndihmuar në Kosovë.
“Kemi gjetur mbështetjen e pakursyer të mërgimtarëve tanë, por edhe të shumë kompanive private në Kosovë për të ndërtuar shtëpi për familjet që janë në gjendje të rëndë sociale”, tha ai. Sipas tij, ndihma e tyre nuk është e kufizuar në një komunë të vetme.