E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suspendohet edhe Mazrekaj

Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 05 gusht 2011 në ora 11:42

Futbollistët e Prishtinës janë të shqetësuar pasi klubi nuk i ka kryer obligimet ndaj tyre për rreth tre muaj. Si pasojë e kësaj, shpesh po prishet qetësia në skuadrën bardh e kaltër, e cila në edicionin e ri synon ta fitojë titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.

Pasi klubi suspendoi për gjashtë muaj Behar Maliqin, i cili nuk kishte pranuar të del në stërvitje para se të shlyhen borxhet ndaj tij, për arsye të njëjtë është suspenduar edhe mesfushori Mentor Mazrekaj nga ana e kryetrajnerit Ramiz Krasniqi.

“Suspendimi i Mentorit është më i butë. Ai është suspenduar pasi nuk i ka respektuar urdhrat e shtabit teknik. Ai duhet ta kuptojë se Prishtina është një ekip homogjen dhe vendimet i merr shumica e futbollistëve bashkërisht, dhe këto vendime nuk merren në mënyrë individuale”, deklaroi Krasniqi për Express.

“Shtabi teknik do t’ia heqë suspendimin Mentorit, atëherë kur ai e kupton se ka gabuar në sjelljen e tij dhe kur e kupton se në Prishtinë merren vendime kolektive e jo individuale”, përfundoi Krasniqi.

Express ka provuar të kontaktojë me mesfushorin cilësor të krahut, por kjo ka qenë e pamundur. Burime të afërta me futbollistin kanë pohuar se Mazrekaj tashmë ka shkuar për pushim në Shqipëri. Sipas këtyre burimeve, mund të ndodhë që edhe Mazrekaj ta ndjekë rrugën e Behar Maliqit, për të kërkuar në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) shkëputjen e kontratës me Prishtinën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›