E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stacionet e autobusëve me koncesion

Ministria e Infrastrukturës nuk pajtohet me privatizimin e stacioneve të autobusëve. Dështimi i privatizimit të dy prej stacioneve të autobusëve në Skenderaj dhe Kamenicë ka shtyrë këtë institucion që të aplikojë formën e partneritet publiko-privat. Nga Ismail Gashi më 29 qershor 2011 në ora 12:40

Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk e fshehin qëllimin se terminalet kryesore të autobusëve duhet të shndërrohen në ndërmarrje publike ngjashëm me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Ata arsyetojnë me faktin se edhe terminalet e autobusëve, njëjtë sikurse Aeroporti, janë në shërbim të pasagjerëve dhe operatorëve.

Arsyeja kryesore që ka shtyrë MI`në të ndryshojë politikat e saj lidhur me këtë sektor të rëndësishëm, janë dështimi i privatizimit të disa stacioneve të autobusëve, si ai në Kamenicë dhe Skenderaj, të cilat kanë humbur destinimin e dikurshëm dhe janë shitur si patundshmëri nga AKM`ja. Sa i përket pronësisë, të gjitha stacionet e autobusëve trajtohen si NSH dhe rrjedhimisht kanë qenë nën administrimin e AKP-së.

Drejtori i Departamentit të Komunikacionit në Ministrinë e Infrastrukturës, Qamil Feka thotë se qëllimi është që të ndryshojë koncepti pronësor juridik i këtyre ndërmarrjeve. “Në mënyrë që këto ndërmarrje të gjenerojnë të hyra më shumë, të ketë investime më shumë, si dhe rritje e numrit të të punësuarve. Ne mendojmë se kjo mund të bëhet përmes PPP-së, ngjashëm siç është bërë me Aeroportin e Prishtinës”, tha ai.

Pjesa e transportit që dikur operonte si ‘Kosovatrans’, është shuar apo ka falimentuar për shkak të konkurrencës nga kompanitë private dhe pamundësia e përballimit të tregut.
Në shumicën e stacioneve të autobusëve, tha ai, është privatizuar transporti dhe mirëmbajtja.

“Në Prizren, Ferizaj dhe Gjilan, janë privatizuar: Transporti, mirëmbajtja dhe objektet jashtë stacionit të autobusëve që kanë qenë pjesë e N.Sh. “ Kosovatrans”, ndërsa në të gjitha N.Sh. “Kosovatrans” që ka pasur të organizuar transportin, i njëjti nuk operon më për shkak të konkurrencës së operatorëve privatë”.

Vlerëson si të dështuar privatizimin e disa prej stacioneve të autobusëve.
Ministria e Infrastrukturës nuk pajtohet me këtë politikë dhe ka kërkuar zyrtarisht që ky proces të ndalet derisa të vendosen garanci se shërbimet e stacioneve të autobusëve do të vazhdohen edhe pas privatizimit.

Përfaqësues të MI-së thonë se me formën e investimeve përmes Partneritetit Publiko Privat, ‘koncesionimit’. Lidhur me këtë problematikë, edhe zyrtarja për informim në Agjencinë e Privatizimit, Arta Gosalci ka thënë për ‘Express’ se do të bëhen konsultime me MI-në dhe Asociacionin e komunave për të zgjidhur këtë çështje.

“Sipas ligjit, Stacioni i Autobusëve është në pronësi shoqërore mirëpo, Agjencia Kosovare e Privatizimit në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Asociacionin e Komunave do të konsultohen për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të mirë për Stacionin e Autobusëve”, ka thënë ajo.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›