Stadiumi Qemal Stafa del në shitje, FSHF nuk e blen dot
Nevoja për para nuk kursen asnjë aset të qeverisë, e cila kërkon me patjetër të rrisë pagat dhe pensionet, pavarësisht se në arkën e saj mungojnë fondet. Pas shitjes së ish-hotel “Dajtit”, qeveria mendon të nxjerrë në shitje edhe stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Propozimi ka ardhur nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës, e cila ka bërë gati listën e objekteve, sipas vendimit të fundit të qeverisë, duke iu bashkangjitur listës së gjatë të objekteve që janë gati për privatizim. "Ne kemi hapur për privatizim afërsisht 280 asete të ndryshme. Ne nga dita në ditë jemi duke marrë nga dikasteret kryesore të vendit, nga ministritë apo institucionet e tjera asete të reja, që do të hyjnë në proces privatizimi. Jo më larg se dje ka ardhur nga Ministria e Kulturës një listë tjetër ku përfshihej stadiumi 'Qemal Stafa', pallati i sportit 'Asllan Rusi'. Pra, asete të tjera me vlerë që i shtohen privatizimit”, tha dje ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Federata Shqiptare e Futbollit ka shfaqur kohët e fundit dëshirën për marrjen e impiantit futbollistik, mbi të cilin synon të ndërtojë një stadium të ri dhe bashkëkohor. Sekretari i përgjithshëm i Federatës, Eduard Prodani, thekson: “Nisma e qeverisë për të hequr dorë nga administrimi i stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’ është një sinjal i mirë. Ne i kemi bërë disa propozime konkrete, por në asnjë prej tyre nuk parashikohet blerja e Stadiumit nga FSHF, pasi është e pamundur për ne. Megjithatë mendojmë se kjo nuk është alternativa e vetme. Alternativat që ne kemi ofruar janë që shteti ta na e japë me qira afatgjatë, ose të aplikojë dhënien me koncesion të stadiumit. Ne nuk mund të investojmë shumë të mëdha parash deri në 30 milionë euro, nga të cilat një pjesë e madhe do të jepen nga UEFA, në një pronë të cilën nuk e administrojmë ne”. Po ashtu mësohet se në ditët në vazhdim do të ketë bisedime mes FSHF-së dhe qeverisë për të gjetur një alternativë privatizimi, që do të kënaqte të dyja palët”.
#