Stadiumi i ri kombetar pritet te perfundoje ne 2015

Superliga shqiptare do të vazhdojë t’i luajë ndeshjet e saj në stadiumin ekzistues “Qemal Stafa” deri në përfundim të këtij sezoni. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur një gjë të tillë, ndërsa besohet se në muajt e verës do të nisin punimet për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, të quajtur “Kuqezi”.
Presidenti i Federatës, Armand Duka, pohoi se ekziston një akord me qeverinë shqiptare për ndërtimin e stadiumit pikërisht në vendin ku ndodhet sot “Qemal Stafa”, ndërsa pak ditë më parë kryebashkiaku i kryeqytetit, Basha, deklaroi se stadiumi i ri mund të ndërtohej tek “Selman Stërmasi”.
Sipas parashikimeve të Federatës, nëse punimet do të ecin sipas ritmit normal, stadiumi i ri duhet të jetë gati në vitin 2015. Ky stadium parashikohet të ketë kapacitet prej 22 mijë vendesh.
Titujt
Tirana dhe Vllaznia nuk do të kenë më shumë tituj kampion në futbollin shqiptar. Kjo sepse Asamblea e Federatës Shqiptare të Futbollit vendosi që, të paktën për momentin, kampionatet e luajtur në vitet 1939, 1940 dhe 1942 nuk mund të konsiderohen të rregullt dhe të pranueshëm.
Më 1939 dhe 1942 kampion doli Tirana dhe më 1940 titullin e fitoi Vllaznia e Shkodrës, por sipas Federatës këta turne u zhvilluan në kohën e pushtimit nga Italia Fashiste dhe nën një qeveri kukull.
Federata doli me përfundimin se kampionatet e atyre viteve u organizuan pikërisht nga ana e qeverisë dhe jo nga Federatës Shqiptare të Futbollit të asaj kohe.
Në 1942, u zhvillua i vetmi kampionat në historinë e futbollit shqiptar me pjesëmarrjen e disa skuadrave të Kosovës.