Stadiumi, rrezikohet Kombëtarja
Kombëtarja shqiptare e futbollit rrezikon seriozisht që të luajë ndeshjet zyrtare kualifikuese për Botërorin 2014 jashtë Shqipërisë. Shkak janë stadiumet, të cilat nuk plotësojnë kriteret e vëna nga FIFA dhe UEFA për zhvillim të ndeshjeve ndërkombëtare. Sipas informacioneve, një grup inspektorësh të FIFA-s do të vijnë në Shqipëri në ditët e para të qershorit për të parë gjendjen e impianteve të topkëmbës sonë, dhe nisur nga gjendja në të cilën janë këto stadiume, me të drejtë zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit janë vënë në alarm. Nëse FIFA do ta djegë Shqipërinë përsa i përket zërit stadium, atëherë me gjasa Kombëtarja do të zhvendoset jashtë, në Shkup ose gjetkë, në një impiant ku të pranohet edhe nga kundërshtari me të cilin do të luajnë. Këtë gjë e konfirmon edhe sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani. Jemi në një moment delikat dhe sytë realisht po i mbajmë nga Shkodra, nëse atje do të bëhet ndonjë investim gjatë kësaj kohe, me qëllim që të mund ta bindim FIFA-n për zhvillimin e ndeshjeve në vendin tonë, ka pohuar Prodani. Federata pati bërë një takim para pak ditësh me drejtuesit e Bashkisë Shkodër, për ti shtyrë këta të fundit që të bënin disa punime, por të paktën deri ditën e djeshme në Loro Boriçi nuk është parë kurrkush që të bëjë diçka.
Zyrtare/ Kapllani te Frankfurti
Bomberi shqiptar, Edmond Kapllani, ka vendosur të luajë për dy sezone me skuadrën e Bundesligës 2, FSV Frankfurt. Pasi u largua me parametra zero nga Augsburgu, sulmuesi 29-vjeçar ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me këtë ekip, deri në vitin 2014. Ndërsa përsa i përket pagës, ende nuk është zbuluar se sa do të fitojë në sezon. Trajneri i FSV Frankfurtit, Beno Mëlman, ka përgëzuar sulmuesin që pranoi ofertën e tyre. Kapllani është një nga futbollistët më të kompletuar. Ai plotëson çdo kriter si nga ana fizike, ashtu edhe futbollistike. Jam shumë i lumtur që do kem një sulmues me parametrat e tij, tha Mëlman.