Bomba, Qerimaj del pozitiv në antidoping

Ekand Qerimaj
Kampioni i Europës rezulton se ka marrë substanca të ndaluara.
Peshëngritësi i shokuar, pritet analiza B për konfirmimin.
Peshëngritësi shqiptar, Ekand Qerimaj, ka rezultuar pozitiv në testin antidoping të cilit i është nënshtruar në Europianin e Antalias në Turqi, aty ku ai doli edhe Kampion Europe në peshën 77 kg. Sipas një shkrese të dërguar më 4 maj të këtij viti në adresë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Federata Botërore e Peshëngritjes njofton se pas testeve të bëra në urinën e Qerimajt është gjetur një substancë e familjes Metylhexanamine, e përfshirë në listën e të ndaluarave që nga viti 2011. Sipas udhëzimeve të Federatës Botërore, substanca të kësaj familjeje gjenden në nutrimentet ushqimore, në mënyrë tipike ato që janë të dizajnuara për të rritur energjinë apo për humbjen e peshës. Kampioni Qerimaj ka bërë dy analiza, njëra e befasishme 8 ditë para Europianit dhe tjetra ditën e garimit. Në të dyja këto teste Qerimaj ka deklaruar se përdorte vitamina Badi Sërxh. Në të parën, ku i është nënshtruar në Shqipëri, përgjigjja ka dalë negative, ndërsa në të dytën, me po të njëjtat vitamina dhe substanca, ai ka rezultuar pozitiv. Një nga elementet e kësaj vitamine është edhe substanca në fjalë, e cila u përket stimuluesve të dobët. Erkand Qerimaj ka kërkuar në Federatën Botërore të Peshëngritjes të dëgjohet në panel nga gjyqtarë që caktohen me short. Për mungesë kohe dhe dokumentacioni, Qerimaj është përfaqësuar nga sekretari Ilir Kraja dhe doktori i ekipit kanadez, shqiptaro-kanadezi Alban Merepeza. Gjithsesi, duhet theksuar se hë për hë kemi të bëjmë vetëm me analizën e parë, të tipi A, dhe sipas informacioneve dhe mënyrës së bërjes së analizave pritet që konfirmimi për peshëngritësin shqiptar të vijë më vonë, pasi të jenë bërë edhe testet e dyta, ose më mirë, analiza B.
E njëjta gjë është bërë edhe para katër vitesh ndaj peshëngritëses Fetije Kasaj, kur u gjet pozitive pas testit të dopingut pas Europianit të zhvilluar në Strasburg. Edhe Kasaj pati fituar medaljen e artë të Kampiones së Europës, por më pas kjo gjë iu hoq nga Federata Botërore e Peshëngritjes si dhe u dënuan me 2 vjet pezullim nga të gjitha aktivitetet. Dje peshëngritësi është shokuar nga lajmi dhe nuk ka pranuar që të japë asnjë prononcim për mediat.
Çfarë është substanca Metylheksanamine
Metylheksanamine, e cila rezulton se është gjetur pas analizave në trupin e Kampionit të Europës Erkand Qerimaj, është një substancë organike me përbërje të fortë kalciumi, e cila rrit artificialisht forcën dhe qëndresën e një personi. Zakonisht është përdoruar në rastet kur ka një inflamacion hundësh, por duhet thënë se që prej vitit 2011 ajo është ndaluar në mënyrë kategorike nga Federata Botërore e Peshëngritjes, pasi ka rezultuar se ndikon direkt te peshëngritësit. Në shkurt të këtij viti ka rezultuar se vdekja e dy ushtarëve amerikanë gjatë stërvitjes ka ardhur pikërisht nga kjo substancë.
Dekorimet, nga Topi te pritja në Shkodër
Pas marrjes së titullit Kampion Europe, Erkand Qerimajt iu rezervua një pritje madhështore nga Shkodra, vendlindja e tij. Gjatë pritjes së rezervuar në mjediset e Bashkisë Shkodër, i pari që ka përshëndetur suksesin e Qerimajt ka qenë kryebashkiaku Lorenc Luka dhe më pas të gjithë drejtuesit vendorë, duke filluar nga prefektja Voltana Ademi, kryetari i Qarkut, Maxhid Cungu dhe veterani i peshëngritjes, njëkohësisht edhe zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Asim Belinova. Më pas peshëngritësit iu dha edhe dekorata Mjeshtër i Madh nga ana e Presidentit të Shqipërisë, z.Bamir Topi.
Esat Ademi: Qerimaj nuk është me doping
Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, ka mohuar që peshëngritësi Erkand Qerimaj të rezultojë me doping. Sipas tij, në Federatë nuk ka ardhur ende një shkresë zyrtare dhe ai është i bindur se një gjë e tillë nuk ekziston. Në dijeninë time nuk ka ardhur asnjë shkresë zyrtare në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes ku neve na konfirmohet se ndonjë sportist i yni ka dalë me doping pas analizave të bëra gjatë dhe pas Europianit të zhvilluar në Antalia. Unë personalisht ju siguroj ju dhe cilindo se jo vetëm Erkand Qerimaj, por asnjëri nga peshëngritësit pjesëmarrës në këtë eveniment europian nuk janë me doping. Në të kundërt, do të kisha qenë i pari që do të kisha marrë informacionin nga WADA, ka pohuar Ademi.
LEONARD KARAJ