Standardi si mbijetese e komunizmit
Në letrën e hapur dënohen qëndrimet e këtyre ditëve në media se, standardi është prodhim i diktaturës. “Gjuha e sotme standarde trajtohet si një krijim i dhunshëm i arritur nën diktatin e udhëheqjes komuniste shqiptare në Kongresin e Drejtshkrimit, në nëntor 1972, rrjedhimisht si një mbijetesë e komunizmit, e papajtueshme me realitetin e sotshëm. Kjo është katërçipërisht e pavërtetë. Askund revolucionet ose kthesat politike nuk kanë shërbyer si arsye për të ndërmarrë përmbysje e kthesa gjuhësore. Askund partitë politike, edhe në diktaturë, nuk kanë prodhuar gjuhë letrare ose gjuhë standarde sipas shijes ose dëshirës së tyre. Gjuhët standarde nuk krijohen me planifikime as socialiste, as kapitaliste. Ato janë produkte kolektive të zhvillimeve kulturore e shoqërore. Gjuhësia vetëm kodifikon me kriteret e saj shkencore atë që është arritur realisht në praktikën e lëvrimit dhe të përdorimit të gjuhës letrare. Ajo ngre në standard atë që është arritur në praktikë dhe nuk krijon gjuhë standarde në epruvetë sipas ndonjë porosie”.