Gjysma e Europës do Krasiçin Venger nuk heq dorë nga De Rosi
Daniele De Rosi dhe Roma nuk e kanë gjetur ende akordin për rinovimin e kontratës. Tratativat vijojnë dhe të dyja palët kanë për qëllim që ta mbyllin këtë gjë sa më shpejt, por ditët kalojnë dhe situata nuk po zhbllokohet. Mes emrave “big”, është edhe Arsenali i Arsen Vengerit. Trajneri francez është një nga adhuruesit e mesfushorit verdhekuq dhe, sipas asaj që shkruan sajti anglez “caughtoffside.com”, ka vendosur që të synojë tek ai në prag të merkatos së janarit. Menaxheri i “topçinjve” e vlerëson De Rosin si mesfushorin ideal për skuadrën e tij dhe ka gati një ofertë.
Krasiç pëlqehet. Serbi, i cili prej një viti nuk është më lojtari që entuziazmoi të gjithë me mbërritjen e tij te Juventusi. Në këtë sezon Konte në fillim besoi tek ai, ndërsa më pas preferoi lojtarë të tjerë. Sipas shtypit anglez, 27-vjeçari mesfushor mund të ndryshojë ambient që në janar. Në Premier Ligë ai ka shumë merkato dhe sipas sajtit anglez “Metro”, Çelsi e Mançester Junajtid janë gati të bëhen përpara. Në Bundesligë Borusia e Dortmundit po e ndjek me vëmendje. Dejan Joksimoviç, agjent i lojtarit, nuk e përjashton largimin e tij në janar. “Milosh ka refuzuar deri më tani dy oferta dhe nuk e besoj se do ta pranonte atë të Borusias edhe për shkak të problemit me pagesën. E ardhmja e tij do të varet nga ajo që do të ndodhë gjatë muajve në vijim. Nëse do të luajë me rregullsi te Juventusi, do të qëndrojë në Itali, përndryshe do të largohet. Ku? Me siguri në ndonjë skuadër kreu në Bundesligë ose në Premier Ligë”.
Edhe Filip Kutinjo është i lodhur me qëndrimin në stol apo në tribunë në ndeshjet e Interit. Klubi nga “Anfield Road” është gati të bëjë një ofertë rreth 8 milionë euro për fantazistin që zikaltërit e kanë blerë nga Vasko da Gama. Pas një nisjeje plot shpresë në drejtimin e Benitezit, 19-vjeçari brazilian ka luajtur pak me Leonardon, por edhe me Ranierin gjërat nuk po ndryshojnë.