Shtrëngohet Prishtina

Lideri aktual i Superligës, Prishtina është mobilizuar që të shënojë fitore në dy xhirot e fundit të pjesës së parë të kampionatit dhe kështu ta fitojë epitetin e kampionit vjeshtor.
Mirëpo, bardhekaltrit nuk do ta kenë të lehtë ta arrijnë këtë objektiv, pasi pozita e parë po ndiqet edhe nga Drita e Vëllaznimi, të cilat aktualisht e kanë vetëm nga një pikë më pak sesa prishtinasit.
Sidoqoftë, kryeqytetasit do t’i afrohen shumë titullit të kampionit vjeshtor, nëse të shtunën ia dalin që në Prishtinë t’i fitojnë tri pikë të reja ndaj rivalit të vjetër të tyre, Besës - në kuadër të xhiros së gjashtëmbëdhjetë të Superligës. Kështu mendon edhe trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi.
“Do të mundohemi që ta japim maksimumin në këto dy xhirot e fundit për ta përfunduar këtë pjesë të kampionatit në pozitën në të cilën jemi aktualisht. Ndeshja e së shtunës është shumë e rëndësishme, andaj futbollistët duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë dha ata duhet ta japin maksimumin. Shpresoj dhe besoj se me një angazhim maksimal, me disiplinë dhe me lojë të mirë do t’ia dalim mbarë”, deklaroi Krasniqi, i cili qysh tash po mendon se si të triumfoj edhe në ndeshjen e fundit të këtij stinori si mysafirë të Gjilanit.
Por objektivat e bardhekaltërve nuk u interesojnë pejanëve. Trajneri i Besës, Valdet Shoshi paralajmëron se skuadra e tij do të përpiqet që t’ia prish planet liderit aktual.
“Në Prishtinë do të udhëtojmë për ta bërë një paraqitje sa më të mirë që mundemi, dhe krahas saj synojmë ta nxjerrim një rezultat sa më pozitiv. Do të përpiqemi ta befasojmë Prishtinën. Duelet mes Prishtinës e Besës gjithmonë kanë josh opinionin, andaj presim numër të madh të shikuesve, të cilët do të mundohemi t’i kënaqim me lojë të bukur”, u shpreh Shoshi.
Po të shtunën zhvillohen edhe tri takime tjera interesante. Liria do të jetë nikoqir i Trepçës, derisa KEK-u do ta pret Gjilanin. Interesant do të jetë edhe në Skenderaj, ku Drenica do të përballet me Lepencin.
Kurse, të dielën zhvillohen dy super-ndeshje. Në Mitrovicë Trepça ’89 ballafaqohet me Vëllaznimin, derisa Drita do t’i mat forcat me kampionin aktual, Hysin.
Superliga – Xhiroja e 16-të
E shtunë
Liria – Trepça (13:00)
Drenica – Lepenci (13:00)
KEK-u – Gjilani (13:00)
Prishtina – Besa (13:00)
E diel
Trepça ’89 – Vëllaznimi (13:00)
Drita – Hysi (13:15)