E Diel, 1 Nëntor 2026

Sadiku, shifrat flasin për një lojtar klasi

SHKRUAN: Jeton Selimi 18-11-2011 17:39

6 gola në 5 ndeshje për sulmuesin e Lokarnos që po udhëheq Shpresat kuqezi në një grup ferri. Katër pikët e grumbulluara kur duhen edhe 3 ndeshje për t’u zhvilluar, janë një rekord më vete

Kur Federata Shqiptare e Futbollit do ta ndëshkonte me 2 vite pezullim dhe 5 milionë lekë të vjetra gjobë për “goditje dhe pështymje të gjyqtarit”, të gjithë menduan se karrierës së Armando Sadikut, lojtarit (asokohe) 18-vjeçar të Elbasanit, i kishte ardhur fundi. Normalisht kështu duhej të ndodhte pasi një i ri që nuk mund të aktivizohet për një periudhë kaq të gjatë, quhet një “lojtar i djegur”. Ishte dhjetori i vitit 2010 dhe lojtari i ri po kalonte momentin më të keq të karrierës dhe të një karriere që premtonte shumë. Armando Sadiku u zhvillua te të rinjtë e Elbasanit, për të luajtur më pas dy sezone në moshë të njomë te Turbina e Cërrikut. Pa moshën 17-vjeçare kalon te Gramozi i Ersekës, kur klubi kishte kaluar në varësi të familjes Taçi. Aty lojtari është një rezervë e brazilianit Dos Santos, por kjo nuk e ndalon që të shënojë 8 gola. Pas atij sezoni rikthehet tek Elbasani. Luan vetëm 14 ndeshje dhe shënon 5 gola, kjo për shkaqet e lartpërmendura. Megjithatë, pas presionit mediatik ndaj FSHF-së, e cila gjatë muajit dhjetor kishte përdorur një ndëshkim me dy standarde për Sadikun, 2 vjet pezullim, dhe dy ndeshje për Ditmar Bicin e Skënderbeut (shkaqet e njëjta) federata vendos që ta falë lojtarin e ri. Është shkurti i vitit 2011 dhe Sadiku më në fund mund të kthehet të luajë, por djaloshi e ka ndarë mendjen që të shkojë jashtë vendit. Në mars firmos një kontratë profesioniste për Lokarnon, skuadër e kategorisë së dytë në Zvicër, ku në 29 ndeshje ka shënuar plot 25 gola dhe ka tërhequr vëmendjen e skuadrave të mëdha helvete si Bazeli, Jang Bojsave, Servetes apo Grasshopersit.

Shpërthimi me kombëtaren U-21

Sadiku ka qenë pjesë e skuadrave-zinxhir të përfaqësueses që me moshat U-17, të drejtuara asokohe nga Ramadan Shehu, por shkëlqimin do ta gjente që në fillim me Shpresat. i grumbulluar nga Artan Bushati, që do të luanin në grupin e 6-të eliminator me skuadra si Rusia, Polonia, Portugalia e Moldavia. Në ndeshjen e parë ndaj polakëve, të zhvilluar në Korçë, kombëtarja mposhtet 0-3. Sadiku aktivizohet në minutën e 61-të, por nuk do të jetë në gjendje të bëjë asgjë në një takim që ishte mbyllur me kohë. Katër ditë më pas, po në Korçë, vjen edhe goli, ose më saktë, golat e parë të elbasanasit. Edhe kësaj radhe Bushati e fut zëvendësues, por Sadiku ka vendosur të tregojë veten. Dy gola të tij në minutat 59-të dhe 80-të, do ta ndihmonin Shqipërinë U-21 të përmbyste Moldavinë dhe të fitonte 4-3. Paraqitja e tij do ta bindë Bushatin se Sadiku është elementi bazë i sulmit të tij dhe harmonia që ka me Balën do të sillnin edhe golat e tij. Në ndeshjen e kthimit në Poloni, kuqezinjtë mposhten in-extremis 4-3, por Armando do të shënojë një tjetër dygolësh. Në sfidën ndaj Rusisë, të humbur 0-1, Sadiku i afrohet golit në dy raste, por portieri do ta ndalte. Megjithatë, katër ditë më pas me Portugalinë, Sadiku do të shënojë 2-golëshin e tij të tretë, i asistuar 2 herë nga Bala. Barazim historik, 2-2 me ata që janë shpallur kampionë pak kohë më parë.

Shifrat e frikshme të një sulmuesi race

Armando Sadiku ka luajtur 5 ndeshje me Shpresat kuqezi për një total prej 343 minutash të luajtura duke realizuar 6 gola, dy më pak sesa gjermani Peniel Mlapa që mban kryesimin me 8 gola. Sadiku ka një mesatare prej 1 goli në çdo 57 minuta. Gjithashtu, ai renditet i dyti për gjuajtjet në kuadrat, me 12 të tilla, një më pak sesa gjermani Aleksandër Esvein. Është zënë vetëm një herë në pozicion jashtë loje dhe ka pësuar 6 ndërhyrje të gabuara. Duket qartë se shifrat premtojnë një lojtar të denjë për kombëtaren A, dhe duke parë shterpësinë e sulmit kuqezi, mbase që në eliminatoret e ardhshme për Kupën e Botës Brazil 2014, Sadiku mund të jetë pjesë e kombëtares që do të udhëtojë

Gabimi i sajtit zyrtar të FSHF-së

Por, ndërsa sajti zyrtar i UEFA-s i numëron golat e Sadikut në 6 të tillë (aq sa edhe janë realisht), në federatë duket se janë tejet të entuziazmuar për shpërthimin e djaloshit. Në faqen zyrtare on-line të FSHF-së, është një artikull i titulluar “Sadiku goleador, 7 gola në 5 ndeshje” dhe që më pas shtjellon “Sulmuesi i kombëtares Under-21, Armando Sadiku me dy golat e shënuar kundër Portugalisë në kuadër të Eliminatoreve të Kampionatit Europian Izrael 2013, është ngjitur në kuotën e 7 golave. Në pesë ndeshjet zyrtare të luajtura (jo plotësisht) Sadiku ka 7 gola dhe është golashënuesi më i mirë i grupit tonë ku marrin pjesë Rusia, Portugalia, Polonia dhe Moldavia. Kjo nuk është rastësi për sulmuesin me origjinë nga Elbasani, pasi edhe në Locarno në kampionatin e Kategorisë së Dytë në Zvicër, Armando ka shënuar shumë herë, madje në momente krociale për skuadrën e tij.” Por një gjë është e vërtetë, Sadiku është goleadori i grupit 6, ku bën pjesë edhe Shqipëria, por me 6 gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›