E Diel, 1 Nëntor 2026

Starmer: I shqetësuar për sulmin ndaj institucioneve të pavarura

TIRANË- Kryeprokurori i Anglisë Keir Starmer viziton për herë të parë Shqipërinë. Pas takimit me homologen Ina Rama por edhe me krerët më të lartë të shetit shqiptar, Starmer ka mbajtur edhe një konferencë përmbyllëse për mediat, ku shprehu shqetësimin e tij, për sulmin që iu bëhet institucioneve të pavarura, sic tha ai.

“Si drejtues i një organi të pavarur, unë jam i shqetësuar nga sulmet personale dhe publike mbi integritetin e institucioneve të pavarura dhe të individëve në to. Këto sulme cënojnë, jo vetëm individët e targetuar por elementët demokratikë të sistemit. Nëse ka shqetësime reale, apo prova të shkeljeve, atëherë ato pretendime duhen ndjekur nëpërmjet kanaleve të duhura dhe jo të thuhen kot, apo të përdoren për të ushtruar presion mbi individët”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm i Anglisë.

Ai u shpreh se, reforma në drejtësi dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri do ndihmojë procedimin më të shpejtë dhe më të përshtatshëm të çështjeve specifike, por do ndihmojë edhe për integrimin në BE.

“Siç e dini të gjithë, sistemi efektiv i drejtësisë që përmbush standartet ndërkombëtare është një para-kusht për anëtarësimin në BE. Megjithatë ajo që ka më shumë rëndësi, drejtësia e paanshmë dhe shteti i së drejtës janë të drejta themelore, të cilat duhet t’i gëzojnë njësoj të gjithë shtetasit. Janë baza e një shoqërie më demokratike, të begatë dhe gjithë-përfshirëse”, tha Prokurori i Përgjithshëm anglez më tej.

Gjatë kësaj konference, Starmer shprehu vullnetin për të bashkëpunuar me Prokurorinë e Përgjithshme shqiptare, me qëllim luftën ndaj krimit.

“Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar për të punuar me organet e zbatimit të ligjit të Shqipërisë për të luftuar krimin që cënon të dyja vendet dhe për të forcuar shtetin e së drejtës dhe sistemin gjyqësor në Shqipëri. Nëpërmjet Ambasadës tonë në Tiranë, departamentet dhe agjencitë e Mbretërisë së Bashkuar punojnë aktualisht me një sërë aktorësh në fushën e zbatimit të ligjit, me projekte asistence, raste studimore, projekte binjakëzimi dhe kështu me rradhë. Puna jonë me Prokuroren e Përgjithshme dhe zyrën e saj është një shtyllë qendrore e këtij bashkëpunimi”, theksoi ai.

Stramer iu përgjigj edhe interesimit të mediave për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit. Sipas tij, “hetimi duhet të bëhet nga prokuroria, të jetë i plotë dhe i pavarur”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›