E Shtunë, 31 Tetor 2026

Starova : Në Holandë lojtarët kanë "tradhëtuar"

Këtë nuk e thotë nisur nga rezultati i thellë, apo thjesht me hamendësi, por “Bobit” i ka ardhur në veshë një gjë e tillë nga miqtë e tij, madje para ndeshjes i kanë thënë se skuadra e Tiranës do të mundej me rezultatin 4-0. Dje, në prononcimin për Sportin shqiptar”, trajneri i skuadrës bardheblu, Sulejman Starova, pohoi: “Nga burime të sigurta dhe nga miqtë e mi që ndodheshin këtu në Tiranë, kam marrë informacione se disa lojtarë kanë trukuar ndeshjen. Këtë nuk e them me hamendësime, por as vetë s’e kam besuar kur më kanë thënë të enjten para se të luhej sfida, se Tirana do të humbasë me rezultat 4-0 e lartë.

U çudita, por ky është një skandal i vërtetë dhe mua nuk më vjen aspak mirë që ndodhin të tilla gjëra me një ekip si Tirana, kur vetë lojtarët trukojnë ndeshjen për të fituar para.

Nuk e di se kush janë ata futbollistë që e kanë sabotuar ndeshjen, emra nuk mund të përmend aktualisht, sepse unë jam një trajner që stërvit skuadrën dhe jo hetues, por ka pasur lojtarë që para sfidës interesoheshin për koeficientët e ndeshjes dhe mbanin kontakte me pikat e basteve në Tiranë.

është vërtet për të ardhur keq, por ja që gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin, sepse përdhoset emri i madh që ka Tirana,” - tha fillimisht trajneri i bardhebluve, Sulejman Starova. Por “Bobi”, krahas akuzës së rëndë, nuk ka lënë pa përmendur edhe forcën e kundërshtarit.

Madje edhe para ndeshjes, trajneri Starova kishte pohuar se do të shkonte që të luante denjësisht në Holandë: “është e vërtetë që kishim përballë një ekip të fortë dhe shkolla holandeze njihet në të gjithë botën për futbollin dhe spektaklin që zhvillon, madje dhe para sfidës isha shprehur se do të shkonim për të luajtur denjësisht.

Por unë kam frikë se humbja ka ardhur sepse ka ndodhur diçka brenda skuadrës”. Kur e pyesim “Bobin” nëse do të ketë “prerje kokash” në ekip në mbyllje të fjalës së tij shtoi: “Nuk e di, ne si drejtues të Tiranës do të mblidhemi dhe do ta analizojmë në ditët në vazhdim këtë çështje”.

Nuk është hera e parë që Sulejman Starova akuzon si trajner i Tiranës. Një gjë të tillë e ka bërë edhe pas ndeshjes me CSKA-në, para disa vitesh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›