Rosel: Nuk do të shpenzojmë 60 milionë euro për Çesk Fabregas
“Nuk do të shpenzojmë 60 apo 70 milionë euro për çesk Fabregas. Nuk do të bëjmë asnjë ‘çmenduri’”. Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosel, shprehet qartë se pavarësisht dëshirës për të pasur në skuadër yllin e Arsenalit, ai nuk ka ndërmend të bëjë asnjë shpenzim astronomik. Fabregas mbetet ëndrra e klubit katalan, por “situata ekonomike në botë nuk është e mirë” dhe për të mirën e klubit “duhet ndjekur një politikë e rreptë monetare”. Rosel ka lëshuar një mesazh për tifozët “blaugrana”: “Rrini të qetë, do ta zgjidhim situatën e vështirë ku ndodhemi”. Javën e kaluar, numri 1 i Barçës u tregua mjaft transparent kur deklaroi se kishte marrë drejtimin e një “klubi që ka shumë borxhe dhe probleme të rënda në arka”. Me problemet financiare lidhet edhe vendimi për të marrë një hua bankare me vlerë 115 milionë euro, nëpërmjet të cilave “do të paguhen rrogat e trajnerëve dhe të lojtarëve për muajin qershor”. Rosel përfundoi: “Nuk mund të shpenzojmë 100 milionë euro në merkato. Me një shifër të tillë për blerjet e verës klubi do të shkonte drejt falimentimit”.
#