Starova: Me Tiranën, për lojë të bukur dhe rezultat

I qetë dhe ironik, në disa raste, Sulejman Starova reflekton po të njëjtën gjakftohtësi që e karakterizon në detyrën e tij si trajner. Tashmë në krye të pankinës durrsake, ish-trajneri i Partizanit udhëheq sot skuadrën e Teutës në sfidën kundër ish-skuadrës së tij, Tiranës, por, pa patur asnjëlloj ndjenje keqardhjeje e as hakmarrjeje. "Ndeshja kundër Tiranës është një ndeshje si gjithë të tjerat për ne, - thotë Starova për "Standard", duke folur për përballjen që "Djemtë e detit" do të kenë neser me bardheblutë kryeqytetas në stadiumin "Niko Dova të Durrësit.
"Natyrisht që Tirana vjen në këtë takim me petkun e skuadrës kryesuese, por të mos harrojmë që është vetëm java e shtatë e kampionatit dhe, përvec të tjerash, ajo është vetëm 4 pikë larg nesh, cka nënkupton se një fitore e jona do të rikthente balancën midis nesh, - vijon më tej trajneri i Teutës. - Kjo do të thotë që është ende herët për t'i dramatizuar gjërat pa qenë nevoja. Ndeshja e së mërkurës është padyshim një ndeshje e vështirë, pasi, në cfarëdolloj versioni, një ndeshje ndaj Tiranës është gjithnjë e tillë." Gjithsesi, Starova është i qetë, sepse skuadra e tij vjen pa probleme në këtë takim.
"Nuk kemi të dëmtuar apo të pezulluar dhe lojtarët gëzojnë një kondicion të mirë fizik", - sqaron numri një i pankinës durrsake. Teuta vjen në këtë takim pas atij barazim 1-1 që arriti në derbin me fqinjët kavajas të Besës, të shtunën, dhe Starova thekson se ajo që kërkon nga skuadra e tij, është edhe një lojë e kënaqshme, sidomos ngaqë luajnë përballë publikut vendas. "Sic e thashë edhe pas ndeshjes me Besën, do ta pranoja edhe një barazim me Tiranën, nëse skuadra luan mirë, - thotë ai. - Përndryshe, as barazimin nuk do ta doja me një lojë të pakënaqshme. Skuadra ime renditet e treta në kampionat dhe nuk shoh ndonjë arsye për t'u alarmuar."
Pikërisht ky vend në renditje e bën Starovën të ndjehet i qetë përsa i përket vendit të tij në pankinën e skudrës bregdetare. "Gëzoj mbështetjen e plotë të presidencës dhe skuadra ka patur një ecuri të kënaqshme, natyrisht, me ato luhatjet normale që mbart një fillimsezoni dhe prandaj nuk shoh arsye për t'u shqetësuar", - thotë Starova, duke hedhur kështu poshtë cdo spekulim se një humbje përballë Tiranës do të lëkundte pozitat e tij në krye të skuadrës së Teutës. Përvec kësaj, Starova thotë, në përfundim, se ai e ka kapërcyer atë fazën emocionale që mbartte përballja me Tiranën, skuadrën të cilën ai e shpalli "kampione" të Shqipërisë, para dy sezonesh.
"Kjo është ndeshja e tetë apo e nëntë që unë kam si trajner përballë Tiranës, pasi kam drejtuar edhe Partizanin sezonin e shkuar në një numër ndeshjesh dhe nuk kam asnjëlloj emocioni, por vetëm respekt profesional", - përfundon trajneri i Teutës, Sulejman Starova, duke folur për "Standard".
Altin B. Kodra