Starova: Vendi i tretë dhe Europa League

www.albania-sport.com - Vendi i tretë në sezonin aktual dhe kampion në edicionin e ardhshëm. Ky është objektivi që i ka vendosur vetes trajneri i ri i Tiranës, Sulejman Starova, në prezantimin e tij të 24-herë kampionët, kur kanë mbetur edhe tetë javë nga përfundimi të Kampionatit të 71-të Kombëtar të futbollit.
Trajneri i pestë sezonal i bardhebluve, që gjatë këtij sezoni nuk do të realizojnë asnjë prej dy objektivave të mëdha, kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, pohoi se synimi i tij fillestar është një vend në Ligën e Europës.
Ish-trajneri i Partizanit i rikthyer pas tri vitesh mungesë te rekordmenët shqiptarë, qysh kur Starova dha dorëheqjen pas vetëm tri javësh në sezonin 2007-2008, tha: "Objektivi kryesor i momentit, është skuadra nëpërmjet këtyre tetë ndeshjeve që kanë ngelur, pra janë 24 pikë në valle, të arrijë të zërë objektivin që i ka ngel Kupa e Evropës. Gradualisht, për të menduar dhe për një Tiranë më të fortë që të jetë e gatshme për sezonin që vjen",
Pasuesi i Devi Mukës në stolin bardheblu nuk dha asnjë detaj në lidhjen me kontratën e firmosur me presidentin Refik Halili, por ai u shpreh se ka lirinë e duhur për të ndërtuar skuadrën që do të sunojë fitimin e titullit të 25-të të Tiranës.
"Detyra ime është të bëjë maksimumin për të kapur këto rezultate, por sigurisht dhe duke vënë shinat për një Tiranë për vitin tjetër", - tha Starova, që ka fituar kampionatin në sezonin 2004-2005 po me Tiranën.
Pas 25 javësh të luajtura në Superligë, Tirana renditet në vendin e katërt të klasifikimit me 35 pikë, 23 pikë më pak se rivalja Dinamo që kryeson kampionatin.
Debutimi i Sulejman Starovës në stolin bardheblu nis me transfertën e Apolonisë në Fier. Tirana ka humbur tre takimet e fundit në kampionat dhe është elimninuar nga Kupa e Shqipërisë.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 30 Mars 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili