E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis pastrimi i Semanit, bunkerët ende problem

Fier

Nis pastrimi i plazhit të Semanit dhe përgatitjet për sezonin turistik. Lajmi bëhet i ditur nga kreu i Komunës Topojë, Sotir Zarka, i cili sqaron se fillimisht po merren masa për pastrimin e sipërfaqes së pyllit dhe më pas do të nisë puna për bregdetin. “Prej tri ditësh punonjësit e shërbimit në komunë janë angazhuar për pastrimin e sipërfaqes së pyllit. Gjatë dimrit janë depozituar mbetje urbane, por edhe inertesh. Me një fond simbolik të komunës dhe me një brigadë të vogël punëtorësh, kemi arritur të pastrojmë territorin e pyllit. Më pas aksioni do të vijojë me sipërfaqen e bregdetit”, është shprehur kreu i komunës. Por ajo që shihet si shqetësim për komunën, në këtë prag sezoni turistik, mbeten bunkerët. Sipas Zarkës janë 70 qendra zjarri që duhet të largohen. “Gjatë verës së vjetshme u arrit që 58 qendrat e zjarrit që ishin në thellësi të detit, të dilnin në breg. Por nuk u zhvendosën, duke krijuar një pamje të shëmtuar dhe një rrezik real për pushuesit”, ka thënë Zarka. Gjithashtu ai thotë se për largimin plotësisht të këtyre qendrave të zjarrit do të duhet një fond tjetër shtesë. Ndërsa në Prefekturën e Fierit pohojnë se heqja përfundimtare e bunkerëve duhej të kryhej në fillim të këtij viti, por puna është penguar nga kushtet atmosferike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›