Startojnë kampionatet, Bajerni e nis me fitore, ngec PSG-ja
Pas humbjes së Superkupës së Gjermanisë me Dortmundit, trajneri Pep Guardiola dhe ekipi që drejton, Bajerni i Mynihut, e kanë marrë seriozisht. Fituan Kupën “Audi” dhe mbrëmë e nisën kampionatin me fitore, teksa mposhtën Mynshegladbahun 3-1. Një fitore që mund të ishte edhe më e thellë, kur kemi parasysh që Myler humbi një 11-metërsh. Në fillim ka shënuar Roben, më pas ka dyfishuar shifrat Manxukic. Rezultati kompromentohet disi, kur Dante shënon në portën e tij dhe ndeshja shkon në 2-1. Pas penalltisë së humbur të Mylerit në pjesën e dytë, akordohet sërish një tjetër, nga ku Alaba shënon saktësisht, duke e mbyllur gjithë ndeshjen 3-1. Ndërkohë, ka nisur kampionati edhe në Francë, ku miliarderët e PSG-së janë ndeshur me Montpelier në transfertë. Ndeshja ka përfunduar në barazim 1-1. Të parët në avantazh kanë kaluar vendësit e Montpeliesë, ndërsa në pjesën e dytë ka barazuar Maksuell për PSG-në, por pa arritur dot fitoren, edhe pse kundërshtari në minutat e fundit ka luajtur me një lojtar më pak. Ndeshjet e tjera të kampionatit francez dhe ato gjerman do të luhen sot dhe nesër, për të mbyllur kështu javën e parë. (E.Ilnica/balkanweb)