E Shtunë, 31 Tetor 2026

Starton Botërori F1, rikthehet Shumaker

BAHREIN- Të dielën në Bahrein zhvillohet gara e parë e kampionatit botëror 2010 në Formula 1. Duke parë ndryshimet e rregullores, të pikëmatjes apo edhe të pilotëve, ky i sivjetshmi pritet të jetë një nga Botërorët më emocionues të viteve të fundit. Mikael Shumaker ishte shënjestra kryesore e mediave pas mbërritjes në Manama të Bahreinit. “Këtë vit kemi skuadra që nuk kanë shumë diferencë me njëra-tjetrën, - deklaroi Shumaker. – Ne kemi zgjedhur strategjinë që pjesët e fundit të makinës t’i vendosnim në momentet e fundit, kështu që kemi patur mundësinë të shohim se çfarë do të bënin të tjerët gjatë kësaj kohe”, u shpreh 7 herë kampioni i botës. I pyetur se cili është ndryshimi mes një Ferrari dhe një Mercedesi, piloti gjerman u përgjigj duke qeshur: E thjeshtë, njëra është e kuqe, tjetra e argjendtë. Ndërkohë, shoku i tij i skuadrës Niko Rozberg, u shpreh se mezi po pret të garojë në Bahrein. “Ndjehem shumë mirë dhe hyj me shumë besim te vetja për këtë garë. Nuk e di se ku do të jemi në fund të saj, por kam një parandjenjë pozitive, - deklaroi Rozberg. I pyetur për shokun e tij të skuadrës, piloti i ri gjerman u shpreh se ndjehet me fat që ka në krah Shumaker, nga i cili mund të mësojë gjithnjë.
Një nga skuderitë e rikthyera në Formula 1 është Lotus, e cila do të ketë për pilotë veteranin Jarno Truli dhe ish-pilotin e MekLaren Heiki Kovalainen. Kjo skuderi ka mundur ta ndërtojë për 7 muaj makinën e saj dhe pritet me mjaft interes në botën e Formula 1. “Jemi përgatitur mirë dhe pas testeve në Spanjë kemi më shumë besim se do t’ia dalim, - deklaroi Kovalainen para mediave. – Edhe pse në Spanjë ishte më ngrohtë, mendojmë se makina do të funksionojë 100 %” u shpreh piloti finlandez. Gara për çmimin e Madh të Bahreinit zhvillohet rreth 30 kilometra larg kryeqytetit Manama, në shkretëtirën e Shakirit. Ajo është një nga garat më të vështira për pilotët për shkak të vapës së madhe dhe dehidratimit të shpejtë të trupit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›