E Shtunë, 31 Tetor 2026

Starton Kupa e Afrikes

Starton Kupa e Afrikës. Turneu i kontinentit të zi, nis mes yjeve, lojtarëve të panjohur që kërkojnë të evidentohen, fakteve kurioze dhe kontradiktave.

E para në fushë do të zbresë përfaqësuesja e Afrikës së jugut, organizatore e aktivitetit, që në Johanesburg do të luajë kundër Kepit të Gjelbër.

Me publikun që pritet të jetë i pranishëm në numër të madh, vendasit synojnë të shkojnë deri në fund të turneut, pas zhgënjimit në Botërorin 2010.

Pavarësisht dëmtimeve të shumta, entuziazmi është i madh dhe të gjithë besojnë te titulli afrikan, i cili mungon prej vitit 1996.

Në anën tjetër, Kepi i Gjelbër kërkon të vazhdojë ëndrrën. Ata janë bërë skuadra me popullsinë më të vogël që u kualifikua në fazën finale të Kupës së Afrikës, duke eliminuar gjatë rrugës gjigandët e Kamerunit.

Në takimin tjetër, Angola do të luajë përballë Marokut.

Në këtë edicion marrin pjesë 368 futbollistë, që militojnë në klubet e 55 shteteve të ndryshme. Lojtarët në Kupën e Afrikës luajnë në 27 vende europiane, ndërsa me 50 lojtarë, Franca është kampionati më i përfaqësuar.

Bregu i Fildishtë i udhëhequr nga Didier Drogba vlerësohet si favorit për ta fituar kupën, ndërsa në garë janë edhe përfaqësuese si Nigeria, Gana, Algjeria, Maroku dhe kampionët në fuqi të Zambias.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›