Starton Olimpiada Dimërore, Pekin 2022

Vetëm 6 muaj distancë nga Olimpiada e Tokyo 2020, e shtyrë për në vitin 2021 për shkak të pandemisë, Pekini nis zyrtarisht Olimpiadën Dimërore 2022, duke u bërë kështu qyteti i vetëm që organizon dy olimpiadat, pas asaj verore në 2008. Slogani i kësaj olimpiade është “Sëbashku për një të ardhme të përbashkët”. Në orën 13.00, në stadiumin kombëtar, Foleja e zogjve, me ceremoninë e hapjes nis zyrtarisht edicioni i 24 i Lojërave Olimpike Dimërore.
Ceremonia nis duke kujtuar festën e Pranverës pikërisht në 4 shkurt, ndërsa nga 1 shkurti ka nisur zyrtarisht viti i tigrit në Kinë. Sportistët dalin nga një bllok akulli imagjinar, që tregon portën e Kinës që mirëpret sportistët nga e gjithë bota. E para si gjithnjë parakalon Greqia, si vendi organizator i olimpiadës së parë, për t’u ndjekur nga Turqia, Malta dhe madagaskari. Kjo renditje është bërë sipas kalendarit mandarin. Edhe Shqipëria përfaqësohet në këtë olimpiadë me një sportist. Eshtë Deni Xhepa që konkurron në slallomin gjigant. Ai do të garojë në datat 13 dhe 16 shkurt.
Duartrokitet kombëtarja e Rusisë, e cila edhe në këtë olimpiadë konkurron pa simbolet e saj kombëtare, por me flamurin e Komitetit olimpik Ndërkombëtar, për shkak të dënimit për doping. E parafundit ka qenë Italia, vendi që do të presë Olimpiadën dimërore Milano-Cortina 2026. Ndërsa në fund doli Kina si vend organizator. Janë 91 vendet pjesëmarrëse në këtë Olimpiadë, me dy rishtarët, Arabinë Saudite dhe Haitin. Në ceremoninë e hapjes së olimpiadës, Presidentit të Kinës Shi Xhinping i është bashkuar homologu rus Vladimir Putin.
Por nuk kanë qenë të pranishëm me zyrtarët e vet, SHBA, Britania e madhe, Kanadaja, Australia, Belgjika, Lituania, Estonia dhe Kosova të cilët kishin deklaruar bojkot diplomatik me arsyen se në Kinë ka shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa vende të tjera nuk dërguan zyrtarë duke nxjerrë si shkak frikën nga pandemia.
E megjithë këto mungesa, nën një temperaturë gati -10 gradë e frikës ndaj Covid-19, stadiumi “Foleja e Zogjve” ishte mbushur gati 60% të kapacitetit të tij. Në Olimpiadën e pekinit do të konkurrohet në 15 sporte, në të cilat përfshihen 100 disiplina, ku do të jepen mbi 300 medalje, për meshkuj dhe femra.