E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statistika e gabimeve

Statistika kryesisht flet me shifra. Në disa raste teksti përdoret vetëm sa për sqarime, apo që në mënyrë më bindëse të vihen në krahasim dy numra. Nuk ka komente, e as vlerësime. Ato vetë i nxjerr shfrytëzuesi i të dhënave statistikore.

Enti i Statistikave të Kosovës është munduar të respektojë këtë rregull. Në publikimin Popullsia, ekonomitë familjare sipas vendbanimeve dhe organizmi territorial i Kosovës deri në vitin 2008, i cili nga shtypi doli në shtator të vitit 2009, të sakta i ka vetëm tabelat dhe hartat. Pjesa tjetër, ajo tekstuale është e përshkuar me gabime shumë të rënda. U bënë gabime në operacionet më të thjeshta matematikore, siç është llogaritja e përqindjes. Autorët e këtij publikimi dëshmuan se matematikën e kanë pjesën më të errët në biografinë e tyre profesionale. Mirëpo, në statistikë kjo nuk tolerohet. Ajo nuk guxon të bëjë gabime në llogaritje, meqenëse sjell në lajthitje shfrytëzuesit e saj.

Publikimi i shtatorit të sivjetmë ka pasur një qëllim të mirë. Aty ESK-ja ka dashur të prezantojë të dhëna shumë të rëndësishme për popullsinë, ekonomitë familjare dhe komunat në Kosovës. Madje, duke nisur nga viti 1948 e deri në vitin 1991, kur u bë regjistrimi i fundit i popullsisë. Pa marrë parasysh ndikimet e mëparshme politike që u bënë në punën statisticientëve, megjithatë, autorët e këtij publikimi dëshiruan të prezantojnë të dhënat zyrtare gati gjysmëshekullore. Të tilla çfarë kanë qenë, pa asnjë ndërhyrje apo shtrembërim. Mirëpo, krejtësisht e huqën në pjesën tekstuale, përkatësisht kur filluan të bëjnë krahasimet për zhvillimet demografike ndërmjet periudhave të ndryshme kohore. Aty janë përfshirë 33 komuna, ku në vazhdimësi përsëriten gabimet, të cilat në disa raste janë tepër të mëdha. Të pafalshme. Sigurisht se një nxënës i ciklit të ulët shkollor për shkak të gabimeve të këtilla do të merrte notën njësh. Aty u dëshmua mungesa e njohurive elementare për katër operacionet themelore matematikore: mbledhjen, zbritjen, shumëzimin e pjesëtimin.

Në këtë reagim është e pamundur që të përmblidhen të gjitha gabimet që ka publikimi i ESK-së, por po veçojmë vetëm disa prej tyre.

Për Deçanin thuhet se numri i banorëve në vitin 1991 krahasuar me vitin 1948 është rritur 72,9 për qind. E vërteta që del nga numrat që janë në tabelën e po këtij publikimi, tregon lëvizje tjetra. Ky vendbanim në vitin 1991 kishte 4440 banorë, ndërsa 43 vjet më herët kishte 1205 banorë. Nga kjo del se numri i banorëve u rrit 268 për qind (indexi: 368 ), ose 50 herë më shumë se që thotë ESK-ja. Për të njëjtën periudhë thuhet se numri i banorëve në Gjakovë u rrit 74,3 për qind, ndërsa kjo rritje ishte 288,5 për qind. Gabimet trashanike bëhen gjatë përllogaritjeve për trendin zhvillimeve në Gllogofc.

Thuhet se ky vendbanim në vitin 1991 kishte 87,6 për qind më shumë banorë se në vitin 1948, ndërsa kjo rritje është 706,3 për qind. Apo rritjen më të vogël e kishte vendbanimi Vuçak me 224 banorë ose 59,6 për qind. Mirëpo, në këtë vendbanim del se rritja ishte 147,4 për qind.

Për të mos numëruar gabimet që përsëriten në secilën komunë, po veçojmë vetëm Prishtinën, ku historikisht kanë ndodhur zhvillimet më të mëdha. Por edhe këtu gabimet e ESK-së janë të mëdha. Thuhet se në vitin 1948 vendbanimi i dytë ishte fshati Marec me 2850 banorë, ose me pjesëmarrje 5,4 për qind. Mirëpo, pas llogaritjeve, vërehet se ky fshat në numrin përgjithshëm të banorëve të komunës merr pjesë 6,4 për qind. Sipas publikimit , në vitin 1953, vendbanimi që kishte rritje më të madhe të popullsisë në krahasim me vitin 1948 ishte Prishtina me 4450 banorë, 18,5 për qind. Rritja këtu është 22,7 për qind. Ose ndodh që në vend të rritjes 60,3 për qind, thuhet se ajo është 37,6 për qind. Ndërkaq, gabimi më trashanik bëhet kur llogaritet rritja e numrit të banorëve të Prishtinës prej vitit 1948 e deri në vitin 1991. Sipas publikimit, kjo rritje është 87,4 për qind, ndërsa e saktë duhet të jetë 692 për qind. Po ashtu, në pjesën tekstuale flitet për fshatin Sllatinë, i cili fare nuk figuron në pjesën tabelare.

Publikimi me 118 faqe është ilustrimi më i mirë se në çfarë gjendje është Enti i Statistikave të Kosovës. Përmes tij, nuk mund të flitet për mënyrën e organizimit, shtrirjen horizontale, për numrin punëtorëve, apo për nivelin e tyre profesionale, sa për faktet që i ofrohen opinionit. Në variantin më të mirë, edhe nëse mostra e përllogaritjeve ishte krijuar gabimisht, këtë është dashur ta vërejnë autorët, apo botuesi i publikimit, ashtu që ai të mos dalë me defekte tepër të rënda. Por, fatkeqësisht, ESK-ja është shumë larg zhvillimeve të cilat po ndodhin në Kosovë. Vërehet se ende nuk është e përgatitur të japë të dhëna të besueshme për popullsinë, ekonominë, gjendjen sociale, si edhe për zhvillimet e tjera. Këtu qëndron arsyeja pse Kosova ka mungesë të të dhënave elementare.

Problemi është edhe më shqetësues për faktin se Kosova tani gjendet në prag të regjistrimit të popullsisë dhe të ekonomive familjare. Kjo do të jetë ndërmarrja më serioze që do të ndodhë pas vitit 1981. Bartës kryesor i kësaj pune me rëndësi tejet të madhe do të jetë ESK-ja. Por, publikimi Popullsia, ekonomitë familjare sipas vendbanimeve dhe organizmi territorial i Kosovës deri në vitin 2008 krijon dyshimin për kapacitetet dhe nivelin profesional që ka ky ent për të pasqyruar gjendjen reale në Republikën e Kosovës. Nga ajo që është prezantuar në këtë publikim, regjistrimin e popullatës duhet ta presim me mjaft shqetësim, pasi që ESK-ja nuk qenka e përgatitur për përpunimin e të dhënave. Është vështirë të thuhet ndonjë vlerësim tjetër, pa marrë parasysh se deri më tani janë bërë tri regjistrime testuese, mirëpo asnjëherë nuk u publikuan të dhënat e përpunuara. Do të thotë se edhe pas tri testeve, EKS-ja në opinion del me gabime trashanike dhe me të dhëna që deformojnë rrjedhën e zhvillimeve historike në Kosovë.

ESK-ja nga aspekti organizativ është pjesë e Ministrisë së Administratës Publike. Njohësit e kësaj problematike e kanë kuptuar se menjëherë pas luftës ishte e drejtë pse ajo gjendej nën tutelën e një ministrie. Pritej që shumë shpejt ky ent të organizohej, të konsolidohej dhe të bëhej institut i pavarur, siç është në shumë vende. Mirëpo, pas këtij publikimi, po vërehet se ESK-ja nuk është e përgatitur të luajë rolin shumë të rëndësishëm që ka. Për këtë duhet të brengosët Ministria e Administratës Publike, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës. Posaçërisht pse EKS-ja në vitin 2011 duhet të bëjë regjistrimin e popullsisë dhe të ekonomive familjare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›