Statistikat e debutimit të trajnerëve zëvendësues Shifrat nuk janë optimiste: 1 fitore (Dume), 1 barazim (Bici) dhe 3 humbje (Daja, Dedja, Duro)

Java e 10-të e Kategorisë Superiore ka një ngjashmëri absolute me javën e 9-të dhe të 4-të kampionatit maksimal shqiptar. Referenca është statistikore, pasi në javën e dhjetë të Kampionatit të 70-të Kombëtar do të debutojnë dy trajnerë të rinj: vlonjate Edmond Liçaj i Flamurtarit dhe serbi Esad Karishik i Apolonisë. Sërish mbetën tre të huaj në bankinat shqiptare, përfshirë edhe Daliçin e Dinamos e Slishkoviçin e Tiranës.
Deri tani “valsi tradicional i bankinave” ka prekur gjashtë skuadra, të renditura nga vendi i 8-të e deri te ai i 12-i (i fundit), me përjashtim të Besës, që ndodhet në vendin e 5-të pas dhjetë javëve: Besa (Haxhiaj-Daja); Bylis (Sejdini-Dume-Dedja); Lushnja (Malko-Bici); Partizani (Lika-Duro); Apolonia (Haxhiu-Karishik) dhe Flamurtari (Kovaçiç-Liçaj).
Por si i nisën debutimet trajnerët “rezervë”. Le t’i hedhim një sy statistikave të përballjeve. Shifrat nuk janë optimiste: 1 fitore (Dume), 1 barazim (Bici) dhe 3 humbje (Daja, Dedja, Duro)
Java 4: Dume - Daja
Faruk Sejdini dha dorëheqjen e parevokueshme nga Bylisi, i ringjitur në Superligë si kampion i Kategorisë së Parë, pas tre humbjeve rresht në tri javët e para. Në vend të tij u komandua Dashnor Dume, i cili fitoi në takimin e parë të tij kundër Lushnjës(1-0).
Trajneri Iljaz Haxhiaj edhe pse barazoi në javën e tretë me Besën e tij i paraqiti dorëheqjen presidentit Nexhat Bizhdili. Në vend të tij u ul Ilir Daja (dy tituj kampion si trajner). Në ballafaqimin e parë në Peqin, ish-trajneri i Dinamos humbi me Shkumbinin 1-0, por ndeshja u shoqërua me incidente në dhomat e zhveshjes në pushimin midis pjesëve
Java 5: Dedja
Pas Dashnor Dumes, në stolin e ballshiotëve erdhi një emër i respektuar i trajningut shqiptar si Hysen Dedja. Debutimi i tij nisi me humbjen në Shkodër me Vllaznisë (1-0), një skuadër të cilën e kishte nxjerrë kampione si trajner.
Java 9: Duro - Bici
Hasan Lika pas një dorëheqje të papranuar, më në fund arriti të bindë presidentin Xhani për të gjetur kompromisin e largimit pas humbjes 0-2 me Dinamon. Në vend të tij te 15-herë kampionët e Shqipërisë erdhi Shpëtim Duro, që për fat të keq e nisi me humbje me Shkubinin (0-2) në Tiranë.
Vasil Bici zëvendësoi Saimir Malkon në stolin e Lushnjës. Ish-trajneri i njohur i gjashtë ekipeve në Superligë, përfshirë Dinamon, Shkumbinin, Vllazninë, Teutën, Besën, Kastriotin, e nisi me një barazim 1-1 kundër Teutës.
Java 10: Liçaj-Karishik
Kroati Slavko Kovaçiç dha dorëheqjen nga Flamurtari pas barazimit të bardhë me Bylisin në Vlorë, duke u bërë i pari i larguar nga tre trajnerët kroatë që drejtojnë në Shqipëri këtë sezon. Tani bankinën kuqezi të klubit shqiptar më të famshëm në Europë e ka “pronësuar” Edmond Liçaj, i vetmi që ka fituar një titull kampion me Flamurtarin. Sfida e parë e ish-trajnerit të Shqipërisë U-19 e U-17 është ajo kundër Dinamos së vendit të dytë e me një trajner kroat ambicioz si Zllatko Daliç. Parashikimi: “X”
Trajner serb i Apolonisë, Esad Karishik do ta nisë aventurën e parë në futbollin e panjohur, sipas tij, me një sfidë të vështirë në Peqin, ndaj një Shkumbini ambicioz e që risynon sërish vendin e dytë pas Tiranës. Apolonia nuk është në ditët më të mira dhe jashtë fushës nuk ka një bilanc për ta ndjerë veten të kënaqur. Përballë Shkumbinit me sulmin më të mirë në kampionat (13 gola në nëntë javë) vështirë se Karishiku të marrë pikë. Parashikimi: “1”.
STATISTIKA
Java 4
Ilir Daja: Shkumbini-Besa 1-0 (humbje)
Dashnor Dume: Bylis-Lushnja 1-0 (fitore)
Java 5
Hysen Dedja: Vllaznia-Bylis 1-0 (humbje)
Java 9
Vasil Bici: Lushnja-Teuta 1-1 (barazim)
Shpëtim Duro: Partizani-Shkumbini 0-2 (humbje)
Java 10
Esad Karishik: Shkumbini-Apolonia (08.11)
Edmond Liçaj: Flamurtari-Dinamo (09.11)
E Enjte, 06 Nentor 2008